Zbulohen 43 armë automatike në Kosovë, arrestohet një gjerman/ Dogana tregon rolin e skanerit të siguruar nga SHBA-ja Katër vajzave të mitura, të përfshira në rastin e dhunës ndaj një 13-vjeçareje në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit, u është shqiptuar masa e dërgimit në shtëpi edukativo-përmirësuese.
Dy prej tyre do të qëndrojnë nga një vit, ndërsa dy të tjerat nga tetë muaj.
Gjykata Themelore Penale në Shkup ka përfunduar në shkallë të parë procedurën ndaj katër të miturave, të cilat akuzoheshin për dhunën ndaj vajzës 13-vjeçare, raporton Telegrafi.
“Çështja ka përfunduar në shkallë të parë dhe atyre u është shqiptuar masa edukative institucionale – dërgim në shtëpi edukative, përkatësisht një vit për dy fëmijë dhe tetë muaj për dy të tjerët”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore Penale në Shkup.
Megjithatë, vendimi ende nuk është i formës së prerë. Aktualisht është në fazën e hartimit me shkrim dhe më pas do t’u dorëzohet palëve.
Ngjarja kishte ndodhur në mars të këtij viti, në lagjen Gjorçe Petrov, ku një vajzë 13-vjeçare ishte dhunuar nga bashkëmoshataret e saj.
Rasti shkaktoi reagime të shumta në opinion, veçanërisht pasi një pjesë e dhunës ishte filmuar me telefona celularë dhe pamjet më pas ishin shpërndarë në rrjetet sociale.
Pas ngjarjes, ndaj katër vajzave të mitura ishin ngritur kallëzime penale për dhunë, ndërsa procedura gjyqësore ishte zhvilluar në përputhje me Ligjin për Drejtësinë për Fëmijët.
Vendimi i gjykatës tashmë është marrë në shkallë të parë, por mbetet të shihet nëse do të ketë ankesë nga palët.
Top Channel