Princesha e Uellsit, Kate Middleton, ka ndarë detaje personale për procesin e rikuperimit nga kanceri, duke treguar se rruga drejt shërimit nuk ka qenë gjithmonë e lehtë.
Në një intervistë për revistën britanike Country Life, në një numër ku Princi William ka marrë rolin e redaktorit të ftuar, Middleton ka folur për sfidat emocionale dhe fizike që ka përjetuar pas diagnostikimit me kancer në vitin 2024.
Gjatë një bisede me shkrimtarin e njohur Robert Macfarlane, princesha ka theksuar se natyra ka qenë një burim i rëndësishëm force dhe shprese gjatë rikuperimit të saj.
“Më thanë në spital se rikuperimi im nuk do të ishte një proces linear. Do të kishte ditë të mira dhe ditë të këqija dhe se do të duhej kohë. E njëjta gjë ndodh edhe në natyrë”, është shprehur ajo.
E pyetur se ku e gjen burimin kryesor të shpresës, Kate Middleton është përgjigjur se mësimet që ofron natyra e kanë ndihmuar të përballojë periudhat e vështira.
Sipas saj, natyra na kujton se nuk jemi vetëm dhe se jemi të lidhur me diçka më të madhe se vetja jonë.
Princesha e ka përshkruar natyrën si një “mësuese të heshtur”, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve njerëzore dhe të vendeve ku njeriu mund të gjejë qetësi.
“Të ndjesh se je i lidhur me të tjerët, të kesh njerëz të besuar pranë dhe vende ku ndihesh në paqe, mund të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme në momente të vështira”, ka deklaruar ajo.
Përveç përvojës së saj me sëmundjen, Princesha e Uellsit ka folur edhe për jetën familjare dhe mënyrën se si përpiqet të edukojë tre fëmijët e saj, Princin George, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis.
Ajo ka treguar se një nga parimet që përpiqet të ndjekë si nënë është t’u japë fëmijëve hapësirën e nevojshme për të zbuluar botën në mënyrë të pavarur. Middleton ka shpjeguar se shpesh i kujton vetes rëndësinë e dhënies së “lirisë për të eksploruar”, në vend që t’u tregojë vazhdimisht fëmijëve se çfarë duhet të shohin apo të mendojnë.
Rrëfimi i saj sjell një këndvështrim personal mbi jetën pas diagnostikimit me kancer, duke vënë në pah rëndësinë që kanë pasur për të durimi, mbështetja familjare dhe lidhja me natyrën gjatë procesit të rikuperimit.













