Elseid Hysaj i është bashkuar Kombëtares shqiptare edhe këtë radhë si një lojtar pa ekip. Futbollisti ka mbyllur kontratën e tij me Lacion me 30 qershor dhe që atëherë, nuk ka gjetur një sistemim të ri.
Pasi u stërvit me Vllazninë dhe pastaj me një përgatitës atletik personal për të qenë gati për ndeshjet e kaluara në Ligën e Kombeve, Hysaj prej disa javësh është stërvitur në Itali me ekipin e të rinjve të Eppolit për të pasur gjendjen fizike optimale për këtë grumbullim.
Megjithatë, situata e tij mund të ndryshojë shpejt. Mediat italiane bëjnë të ditur se në ditët e kaluara, për mbrojtësin shqiptar ka pasur përsëri interesim nga disa klube në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat janë të gatshme t’i ofrojnë atij mundësinë për të vazhduar karrierën në radhët e tyre.
Gjithsesi, konfirmohet se për momentin prioriteti i Hysajt është të vazhdojë të luajë në Europë. Ndaj ai ka lënë të gjithë këto oferta nga Lindja e Mesme në pritje, ndoshta edhe për faktin se me paraqitjet me Shqipërinë, mund të fitojë shikueshmëri në këto ditë edhe për klubet europiane që janë në kërkim të një profili si i tiji.




