Shembet ndërtesa trekatëshe në Nju Jork, një i vdekur dhe dy të plagosur rëndë! Një person nën rrënoja

11/11/2026 23:47

Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë pas shembjes së një ndërtese trekatëshe në Brooklyn të Nju Jorkut, pasditen e së mërkurës. Një tjetër person ka mbetur i bllokuar nën rrënoja, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë për nxjerrjen e tij.

Sipas CNN, që citon një zyrtar të Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut, shembja ndodhi rreth orës 16:00, sipas orës lokale, në lagjen Flatbush, një zonë kryesisht e banuar në Brooklyn.

Ndërtesa trekatëshe ndodhej pranë një kantieri ndërtimi dhe përfshinte një dyqan në katin përdhes, si dhe të paktën një apartament në katet e sipërme.

Sipas raportimit te CNN, shembja është shkaktuar nga një kantier ndërtimi ngjitur me ndërtesën.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë zjarrfikësit teksa nxjerrin një person nga grumbulli i rrënojave. Katër prej tyre e vendosën viktimën në barelë për ta larguar nga vendngjarja.

Ekipet e emergjencës përdorën dronë për të ndihmuar në kërkime, ndërsa me rënien e errësirës vijuan operacionin me elektrikë dore.

Dhjetëra zjarrfikës u angazhuan në largimin e mbetjeve të ndërtesës dhe kërkimin e personave të bllokuar. Në pamjet e publikuara shihen efektivët që largojnë mobilie dhe sende të tjera, përfshirë jastëkë dhe një sobë të dëmtuar, për të kontrolluar mes rrënojave.

“Njësitë e Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut po ndërhyjnë aktualisht në një shembje ndërtese në Flatbush Avenue, në Brooklyn”, njoftoi departamenti të mërkurën pasdite.

 

Top Channel