Më 29 nëntor, qytetarët e kantonit të Schaffhausenit do të votojnë për një ndryshim ligjor që prek mbi 1.700 punonjës të spitaleve të këtij kantoni. Nëse miratohet, menaxhmenti i spitalit do të ketë më shumë kompetenca për përcaktimin e pagave dhe kushteve të punës.

Qytetarët e kantonit të Schaffhausenit në Zvicër do të vendosin në votimin e 29 nëntorit nëse punonjësit e spitalit kantonal duhet të kenë kushte të reja të punësimit, duke kaluar nga ligji kantonal për personelin në një marrëveshje kolektive të punës.


Sipas televizionit publik SRF, aktualisht shumica e rreth 1.700 punonjësve të Spitaleve të Schaffhausenit konsiderohen nëpunës shtetërorë dhe u nënshtrohen rregullave kantonale për pagat, orarin e punës dhe pushimet, transmeton Telegrafi.

Ndryshimi i propozuar i ligjit për spitalet synon t'i japë drejtuesve të institucionit më shumë autonomi në politikat e personelit, duke u mundësuar përshtatjen më të shpejtë të pagave dhe kushteve të punës sipas nevojave të institucionit dhe konkurrencës për personel shëndetësor.

Propozimi parasheh që marrëdhëniet e punës të rregullohen përmes një kontrate kolektive të punës (GAV), e cila do të negociohet ndërmjet drejtuesve të spitalit dhe përfaqësuesve të punonjësve. Në ligj janë paraparë edhe standarde minimale për mbrojtjen e personelit, përfshirë mbrojtjen nga largimi nga puna dhe ruajtjen e pagave gjatë periudhës kalimtare.

Ndryshimi ka nxitur diskutime mes partive politike. Partia Socialdemokrate (SP) kundërshton reformën, duke shprehur shqetësimin se largimi nga ligji kantonal mund të sjellë përkeqësim të kushteve të punës për personelin shëndetësor.

Në anën tjetër, sindikata VPOD e mbështet propozimin, duke vlerësuar se marrëveshja kolektive e punës mund të sigurojë mbrojtjen e nevojshme për punonjësit. Shumica e partive të tjera kanë shprehur mbështetje për ndryshimin.

Këshilli Kantonal i Schaffhausenit e kishte miratuar reformën në gusht me 43 vota për dhe asnjë kundër, ndërsa 12 anëtarë ishin përmbajtur. Meqenëse nuk u arrit shumica e kërkuar prej katër të pestave, propozimi do t'i nënshtrohet votimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve më 29 nëntor.

Nëse reforma miratohet, Schaffhauseni do t'u bashkohet kantoneve të tjera zvicerane, si Cyrihu, Berna dhe Baseli, ku spitalet publike kanë më shumë autonomi në përcaktimin e kushteve të punësimit të personelit./Telegrafi/