Pesë arsyet pse Pochettino mund të jetë trajneri ideal për Man Unitedin

Argjentinasi Mauricio Pochettino po shfaqet si një prej kandidatëve kryesorë për ta pasuar Michael Carrickun në stolin e Manchester Unitedit, në një kohë kur raportimet sugjerojnë se trajneri aktual i Përfaqësueses së SHBA-së është i hapur për një aventurë të re në “Old Trafford”.
Përvoja e tij në Ligën Premier, ku ka drejtuar Tottenhamin dhe Chelsean, është një prej faktorëve që mund ta bindë drejtuesit e klubit anglez për ta zgjedhur si trajnerin e ardhshëm.
Sipas gazetës The Sun, Pochettino ka disa cilësi që e bëjnë një kandidat të përshtatshëm për ta rikthyer Manchester Unitedin në rrugën e suksesit. Mediumi britanik ka renditur pesë arsye kryesore që e favorizojnë argjentinasin.
1. Aftësia për të zhvilluar talentet e rinj
Pochettino ka dëshmuar se di t'u japë mundësi futbollistëve të rinj dhe t'i ndihmojë ata të arrijnë nivelin më të lartë. Nën drejtimin e tij janë zhvilluar emra si Harry Kane, Son Heung-min, Dele Alli dhe Cole Palmer.

Ky i fundit ka vlerësuar ndikimin e trajnerit argjentinas në karrierën e tij, duke theksuar se Pochettino i jepte liri në lojë dhe kujdesej edhe për aspektet personale të futbollistëve.
2. Aftësia për të rikthyer unitetin në dhomat e zhveshjes
Manchester United ka pasur vazhdimisht probleme me atmosferën dhe harmoninë në skuadër pas largimit të Sir Alex Fergusonit. Pochettino njihet për qasjen e tij personale ndaj futbollistëve, duke u interesuar jo vetëm për paraqitjet në fushë, por edhe për jetën e tyre jashtë futbollit.
Harry Kane e kishte përshkruar atmosferën te Tottenhami nën drejtimin e tij si një familje, ndërsa Dele Alli kishte thënë se argjentinasi e trajtonte si një baba. Kjo qasje mund të jetë e rëndësishme për ta rikthyer besimin dhe bashkëpunimin në dhomën e zhveshjes së Unitedit.
3. Përvoja në rindërtimin e skuadrave në krizë
Pochettino ka marrë drejtimin e klubeve në periudha të vështira dhe ka arritur t'i rikthejë në nivel konkurrues. Me Tottenhamin përfundoi në vendin e dytë në Ligën Premier në sezonin 2016/17 dhe arriti në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2019.
Edhe te Chelsea, pas një sezoni shumë të dobët të klubit, arriti ta përmirësonte situatën dhe ta përfundonte kampionatin në zonën e kualifikimit për garat evropiane. Përvoja e tij në menaxhimin e skuadrave me probleme mund të jetë një avantazh për Manchester Unitedin.

4. Marrëdhëniet e mira me mediat angleze
Presioni mediatik është një prej sfidave më të mëdha për çdo trajner të Manchester Unitedit. Pochettino, megjithatë, ka krijuar marrëdhënie të mira me mediat britanike dhe është paraqitur edhe në emisionin “Stick to Football”, ku marrin pjesë figura të njohura të futbollit anglez.
Gary Neville e kishte përmendur më herët argjentinasin si një prej emrave të përshtatshëm për stolin e Unitedit. Sipas ish-kapitenit të klubit, trajneri i ardhshëm duhet të dijë të menaxhojë mediat, dhomën e zhveshjes dhe drejtuesit, si dhe të ketë përvojë në ndeshjet e mëdha.
5. Rikthimi i Marcus Rashfordit në formën më të mirë
Një prej detyrave më interesante për Pochettinon mund të jetë rikthimi i Marcus Rashfordit në nivelin që kishte treguar më parë te Manchester Unitedi.
Sulmuesi anglez, 29-vjeçar, është rikthyer në planet e klubit pas një periudhe 18-mujore larg “Old Trafford”, gjatë së cilës ishte huazuar te Aston Villa dhe Barcelona. Megjithatë, sipas të dhënave të raportimit, ai nuk ka kontribuar me gol apo asistim në tetë paraqitjet e këtij sezoni.
Rashford ka shënuar gjithsej 138 gola për ekipin e parë të Manchester Unitedit, prandaj rikthimi i tij në formën më të mirë do të ishte një objektiv i rëndësishëm për klubin. Pochettino shihet si një trajner që mund ta ndihmojë në këtë drejtim./Telegrafi/








































