Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ku e ka fundin lufta e Ukrainës?

Sopi: S’besoj se Turqia do ta ekstradojë Veselinoviqin në Kosovë

4 o. më parë / 11 nën 2026 21:27
Sopi

Opinionisti Agim Sopi ka thënë se nëpërmjet kanaleve zyrtare, Kosova s'mund të kërkojë nga Turqia që ta ekstradojë Zvonko Veselinoviqin, biznesmenin kontrovers nga veriu i Kosovës, ndaj të cilit autoritetet kosovare kishin lëshuar urdhërarrest vendor e ndërkombëtar në dhjetor të vitit 2019. 

Në mediumet në Serbi është raportuar se Veselinoviq është larguar sot për në Turqi. E burime të “Radio Evropës së Lirë” kanë thënë se ai ka udhëtuar në Turqi nga Bosnja. 

“Meqë nuk jemi pjesë e Interpolit, nëpërmjet kanaleve zyrtare Kosova s’mundet ta kërkojë ekstradimin. Private, nuk e di si janë raportet. Janë raporte miqësore, të relaksuara, por nuk e di sa janë të besueshme në atë masë që Qeveria jonë të kërkojë nga Erdogani ta arrestojë atë dhe ta dorëzojë në Kosovë. Nuk jam fort i sigurt që Turqia është e gatshme ta bëjë një gjë të tillë, pavarësisht raporteve”, ka thënë Sopi në “Konfront” të KTV-së. 

Zvonko Veselinoviq njihet si biznesmen nga veriu i Kosovës dhe ish-partner afarist i Milan Radoiçiqit, organizatorit të sulmit terrorist ndaj në Banjskë, më 24 shtator të vitit 2023, gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Të dy janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara prej gati pesë vjetësh, për shkak të dyshimeve për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.


 

Sopi: Lufta në Ukrainë, kambanë për shtetet e mëdha të Evropës që të riarmatosen

4 o. më parë / 11 nën 2026 21:08
Agim Sopi

Opinionisti Agim Sopi vlerëson se lufta në Ukraina ka qenë kambanë për shtetet e mëdha evropiane që të riarmatosen. 

Sopi ka thënë se nuk ka optimizëm për arritjen e një marrëveshje për përfundimin e luftës Rusi – Ukrainë. 

Ai ka thënë se insistimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për një marrëveshje ka qenë totalisht i çorientuar dhe i gabuar. 

“Ai ka tentuar të bëjë një marrëveshje mbi kufomat e viktimave. Kjo nuk kapërcen as te një popull shumëfish më i dobët se Ukraina e lëre më te Ukraina, që realisht ukrainasit janë themelues të Rusisë”, tha Sopi në “Konfront” të KTV-së. 

Sa për Evropën, Sopi ka thënë se ajo nuk është kompakte dhe se s’do të jetë faktor në diskutimet për arritjen e një marrëveshje. 

“Por, kjo ishte kambanë e fuqishme për shtetet e mëdha të Evropës që të riarmatosen ose të armatosen, siç është rasti i Gjermanisë...Gjermania do të krijojë rolin e një superfuqie ushtarake në Evropë. Kjo është garancë edhe për ardhmërinë e Evropës”, tha Sopi, që ka thënë se shtetet evropiane e kanë kuptuar seriozitetin situatës e kanë nisur t’i kthehen vetes. 
 

Koci: Nuk ka mundësi të paqes, lufta Rusi-Ukrainë do të vazhdojë

4 o. më parë / 11 nën 2026 21:05
Melazim Koci

Ish-kryeredaktori i Radios Evropa e Lirë, Melazim Koci, ka thënë se më e rëndësishme për Kosovën është që të anëtarësohet në NATO sesa njohja nga Serbia. 

Ai ka thënë se vendet e Ballkanit që nuk janë anëtare të NATO-s rrezikohen vetëm në një pikë, pasi sipas tij, ka kërkesë të Rusisë që në një marrëveshje potenciale për përfundim të luftës në Ukrainë, tani se pas disa vitesh, një nga pikat të jetë moszgjerimi i NATO-s. 

“Pra të stopohet zgjerimi i NATO-s dhe kjo në mënyrë të tërthortë do ta hendikeponte Kosovën sepse do ta pamundësonte anëtarësimin”, është shprehur Koci në “Konfront” të KLTV-së. 

Megjithëkëtë ai ka thënë se nuk beson që kjo do të ndodhë, sepse sipas tij ka qenë politikë e demokratëve dhe republikanëve në SHBA që Rusia duhet të dëgjohet në Evropë, por që nuk duhet ta ketë të drejtën e vetos.  

Koci ka thënë se nga kjo politikë nuk mundet të lëvizë as presidenti amerikan Donald Trump. 

“Nuk besoj që do të ndodhë, por është rrezik që nëse merren vesh fuqitë e mëdha që të mos ketë më zgjerim të NATO-s, Kosova në mënyrë të tërthortë e pëson, pasi nuk do të mund të anëtarësohej, e unë mendoj që anëtarësimi në nATO është më i rëndësishëm se njohja nga Serbia”, ka deklaruar Koci.

Jashari: Pa ndihmën e Perëndimit, Ukraina do të ishte dorëzuar moti

4 o. më parë / 11 nën 2026 21:02
Nazim Jashari

Opinionisti Nazim Jashari thotë se pa ndihmën e Perëndimit, Ukraina nuk do të mund t’i rezistonte Rusisë më tepër se tre muaj. 

Jashari ka thënë se ende nuk është “shterur energjia e konfliktit” dhe se ende nuk janë krijuar rrethana për arritjen e marrëveshjes. 

“Ukraina do të ishte dorëzuar në tre muajt e parë të konfliktit po të mos kishte përkrahje nga Perëndimi. Nga SHBA-ja...e po ashtu Evropa pa diskutim, nga gjitha shtetet e Evropës pa përjashtim këtu. Do të dorëzoheshin. Lufta kushto tepër shtrenjtë...Duket sikur Rusia ka rënë në kurthin e Perëndimit në këtë luftë, ka menduar se e kryen shpejt e ka hyrë brenda dhe ka mbetur. Lufta ka gati pesë vjet tash. Po ua rikujton ish-Bashkimin Sovjetik kur e sulmoi Afganitanin në vitin 1979. Pas dhjetë vjetësh u tërhoq, por me shkatërrimin e vetë...Mendoj edhe kjo lufton shkon në atë drejtim”, tha Jashari në “Konfront” të KTV-së. 

Ai ka thënë se Rusia s’mund t’i zgjidhë problemet me Ukrainën derisa në krye ta ketë Vladimir Putinin. 
 

Koci: Nuk ka mundësi të paqes, lufta Rusi-Ukrainë do të vazhdojë

5 o. më parë / 11 nën 2026 20:46
Melazim Koci

Ish-kryeredaktori i Radios Evropa e Lirë, Melazim Koci, ka thënë se lufta Ukrainë-Rusi do të vazhdojë dhe se ai nuk sheh që ka mundësi për paqe. 

Ai ka thënë se nëse analizohen fjalimet e fundit të presidenti të Ukrainës Volodymyr Zelensky, kuptohet që ka nisma nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që një segmet i administratës së presidentit Donald Trump konsideron që mund të këtë prekje të kufijve të Ukrainës.

Koci ka thënë se Zelensky ka deklaruar se amerikanët e kanë pyetur nëse është i gatshëm të japë territor për të marrë garanca të sigurisë dhe se ai nuk ka pranuar. 

“Është kuptuar që edhe Ukraina mund të heqë dorë nga një pjesë e territorit nëse merr garanca të sigurisë, pra nëse anëtarësohet në NATO ose nëse sigurohet zbatimi i nenit 5 të NATO-s, por këtë të dytën Rusia nuk e pranon”, është shprehur Koci në emisionin “Konfront” në KTV.

Ai ka thënë se Rusia nuk do ta pranojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO, por as Ukraina nuk do të pranojë të japë territor pa garanca të mëdha të sigurisë. 

“Prandaj do të kemi vazhdim të lutës ... paqja do të jetë e vështirë edhe për një arsye tjetër, Ukriana është tradhtuar njëherë në vitin 1994, në marrëveshjen e Budapestit, është nënshkruar marrëveshje në mes të Rusisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës që kjo të dorëzojë 1900 koka bërthamore, që t’i garantohet nga këto tria siguria dhe sovraniteti, ajo është harruar, prandaj nuk besoj që Ukraina e bën edhe një gabim tjetër”, ka deklaruar Koci.