Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, dhe këshilltarët e tij më të afërt janë qortuar pasi kanë qeshur pranë një prej monumenteve më të shenjta ushtarake të Shteteve të Bashkuara, gjatë një ceremonie për Ditën e Veteranëve.
Sekretari, bashkëshortja e tij Jennifer Hegseth, shefi i kabinetit Ricky Buria dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Pentagonit po qëndronin së bashku duke bërë fotografi pranë Varrit të Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, pas ceremonisë së zhvilluar të mërkurën.
Pas këtij sesioni fotografik të paplanifikuar, grupi i zyrtarëve të Pentagonit nisi të largohej nga memoriali, kur papritur u dëgjuan të qeshura, shkruan Daily Mail.
“Të gjithë vizitorët duhet të ruajnë në çdo kohë një atmosferë heshtjeje dhe respekti!” – u dëgjua të thërriste një ushtar i ushtrisë amerikane, i cili ruan varrin, pasi dëgjoi të qeshurat e grupit.
Ushtari, i veshur me uniformën ceremoniale të njësisë elitare “Old Guard” dhe i armatosur me një pushkë M14, ishte në shërbim, duke patrulluar përpara varrit, siç është zakon për pjesëtarët e kësaj njësie, përpara se të kthehej dhe t’u drejtohej zyrtarëve.