NATO kërkon rritjen e investimeve në mbrojtje dhe paralajmëron për kërcënimet në det, Arktik dhe Evropë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje për rritjen e investimeve në mbrojtje, shtimin e kapaciteteve ushtarake dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve anëtare, duke paralajmëruar se mjedisi i sigurisë po bëhet gjithnjë e më kompleks.
Gjatë një fjalimi të mbajtur më 11 nëntor, në bordin e anijes luftarake britanike HMS Prince of Wales, Rutte vlerësoi angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030, duke ndjekur një rrugë të besueshme drejt objektivit prej 3.5 për qind për mbrojtjen bazë deri në vitin 2035.
Ai tha se ky angazhim nënkupton dyfishimin e shpenzimeve britanike për mbrojtje brenda një dekade, duke theksuar se edhe vende të tjera të NATO-s po rrisin ndjeshëm investimet.
Rutte falënderoi gjithashtu ish-sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për punën e tij gjatë më shumë se dhjetë vjetëve në krye të Aleancës, si dhe qeverinë britanike për angazhimet e saj të fundit financiare.
Duke folur për rëndësinë strategjike të hapësirës detare, Rutte tha se siguria e rrugëve të komunikimit dhe furnizimit është thelbësore për ekonomitë dhe sigurinë e vendeve aleate, transmeton Telegrafi.
Ai përmendi ndërprerjen e lirisë së lundrimit nga Irani në Ngushticën e Hormuzit, sulmet ruse ndaj anijeve në Detin e Zi dhe aktivitetet e flotës së ashtuquajtur “hije” të Moskës.
Rutte ngriti shqetësime edhe për kërcënimet ndaj kabllove nënujore në Detin Baltik, si dhe për sfidat në Mesdhe, ku përmendi migrimin e parregullt, trafikimin dhe monitorimin kundër terrorizmit.
Sa i përket Arktikut dhe Veriut të Largët, ai tha se Rusia ka shtuar ndjeshëm aktivitetin ushtarak, duke rihapur porte të thella detare të periudhës sovjetike dhe duke testuar armë të reja. Ndërkohë, sipas tij, edhe Kina po tregon interes në rritje për rajonin, veçanërisht për burimet energjetike, materialet kritike dhe rrugët detare.
Rutte theksoi se NATO duhet të ruajë praninë dhe fuqinë e saj në Atlantikun e Veriut, i cili përbën një lidhje strategjike mes dy kontinenteve dhe një rrugë të rëndësishme për përforcimin e forcave aleate.
Ai paralajmëroi se nëndetëset bërthamore ruse që dalin nga Gadishulli Kola përbëjnë kërcënim jo vetëm për fqinjët e Rusisë, por edhe për bregun lindor të Shteteve të Bashkuara.
Duke folur për luftën në Ukrainë, shefi i NATO-s deklaroi se presidenti rus, Vladimir Putin, po dështon në fushëbetejë.
Sipas tij, Rusia ka humbur më shumë se 40 mijë ushtarë çdo muaj gjatë muajve të fundit, të vrarë ose të plagosur rëndë. Rutte tha se raportimet fillestare për muajin tetor sugjerojnë se numri mund të ketë kaluar edhe 50 mijë.
Ai e krahasoi këtë shifër me humbjet amerikane gjatë 14 vjetëve të Luftës së Vietnamit, kur SHBA-ja humbi rreth 56 mijë ushtarë.
Rutte tha se Rusia po përpiqet ta thyejë vullnetin e Ukrainës për të vazhduar luftën duke sulmuar civilët, qytetet dhe infrastrukturën kritike, në kohën kur vendi po përgatitet për dimrin.
Ai akuzoi gjithashtu Moskën për intensifikimin e veprimeve armiqësore në Evropë, përfshirë zjarrvëniet, incidentet me dronë, sulmet kibernetike dhe aktivitete të tjera që synojnë destabilizimin e shoqërive evropiane dhe dobësimin e mbështetjes për Ukrainën.
Megjithatë, Rutte theksoi se këto përpjekje nuk po japin rezultat, pasi, sipas tij, për çdo sulm hibrid rus ndaj vendeve aleate, NATO po shton mbështetjen për Ukrainën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se vendet evropiane anëtare dhe Kanadaja po rrisin ndjeshëm shpenzimet ushtarake. Sipas tij, gjatë viteve 2025 dhe 2026, investimet e tyre në mbrojtje do të rriten me më shumë se 250 miliardë dollarë.
Ai bëri të ditur se pesë vende anëtare pritet ta arrijnë ose tejkalojnë objektivin e plotë prej 5 për qind të PBB-së për shpenzimet e lidhura me mbrojtjen gjatë vitit 2026.
Këto investime, sipas Rutte-s, do të mundësojnë zhvillimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe kundër raketave, armëve me precizion të lartë, sistemeve pa pilot dhe kapaciteteve të inteligjencës.
Ai theksoi se rritja e prodhimit ushtarak dhe zhvillimi i teknologjive të reja jo vetëm që forcojnë sigurinë, por krijojnë edhe vende të reja pune dhe përfitime për ekonominë.
Megjithatë, Rutte paralajmëroi se kërkesa për pajisje dhe sisteme ushtarake vazhdon të jetë më e madhe se furnizimi, ndaj u bëri thirrje kompanive të industrisë së mbrojtjes të rrisin prodhimin, të investojnë në inovacion dhe të bashkëpunojnë më shumë.
Ai kërkoi gjithashtu forcimin e qëndrueshmërisë së shoqërive ndaj sulmeve hibride, duke theksuar se kjo përgjegjësi u takon jo vetëm institucioneve shtetërore dhe ushtrive, por edhe kompanive private dhe gjithë shoqërisë.
Në përfundim, Rutte tha se vendet evropiane dhe Kanadaja, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, po marrin përsipër përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen konvencionale të Aleancës.
Ai e cilësoi grupin luftarak të aeroplanmbajtëses HMS Prince of Wales si shembull të këtij bashkëpunimi, pasi në të marrin pjesë edhe forca nga Norvegjia, Franca, Gjermania dhe Portugalia.
Rutte e përfundoi fjalimin duke kujtuar ata që kanë humbur jetën në shërbim të vendeve të tyre dhe duke theksuar se paqja dhe siguria nuk duhet të merren si të mirëqena. Ai tha se NATO do të vazhdojë të forcohet dhe të përshtatet me sfidat e reja, duke vepruar së bashku me 32 vendet anëtare në tokë, ajër, hapësirë, hapësirën kibernetike dhe në det. /Telegrafi/





























