Reperi i njohur kanadez, Drake, ka tërhequr sërish vëmendjen e fansave shqiptarë, pasi është shfaqur me një varëse gjigante diamanti në formën e shqiponjës dykrenare shqiptare. Bizhuteria luksoze, e mbuluar e gjitha me diamante, është shfaqur në videoklipin e ri të këngës “Ya Hit”, në bashkëpunim me Future, Travis Scott dhe Loe Shimmy.
Varësja është krijuar nga argjendari i njohur Alex Moss dhe duket se është realizuar posaçërisht për reperin kanadez. Ajo paraqet shqiponjën dykrenare, një prej simboleve më të rëndësishme kombëtare të Shqipërisë, duke e kthyer edhe një herë vëmendjen te lidhja e përsëritur e Drake me simbolet shqiptare. Revista muzikore “XXL” publikoi pamjet e reperit me aksesorin e ri, duke theksuar se bëhet fjalë për një krijim të veçantë, të dizajnuar posaçërisht për të.
Nuk është hera e parë që Drake përfshin simbole shqiptare në paraqitjet e tij publike. Në vitin 2023, në videoklipin e këngës “Polar Opposites”, ai u shfaq me një xhaketë të kuqe që kishte të njëjtën emblemë të shqiponjës dykrenare. Edhe më herët, reperi është fotografuar me një kapele që mbante flamurin shqiptar, ndërsa këto paraqitje kanë nxitur vazhdimisht reagime dhe komente nga fansat shqiptarë në rrjetet sociale. Pavarësisht interesit të madh që ka krijuar kjo zgjedhje, Drake nuk ka dhënë një shpjegim të plotë publik për afrimin e tij me simbolet shqiptare dhe nuk dihet që të ketë prejardhje shqiptare. Në rrjetet sociale janë hedhur hipoteza se kjo mund të lidhet me miqësitë e tij me persona shqiptarë, por një arsye e tillë nuk është konfirmuar prej reperit.
Megjithatë, varësja e re me shqiponjën dykrenare ka rikthyer në qendër të vëmendjes simbolin shqiptar, këtë herë përmes një prej emrave më të njohur të muzikës botërore.
Drake gets a new iced-out double-headed Albanian eagle pendant, designed by jeweler Alex Moss, which he debuts in the “Ya Hit” music video with Future, Travis Scott and Loe Shimmy. 💎🦅
🎥: alexmoss/IG https://t.co/07tMLuntdM
— XXL Magazine (@XXL) November 11, 2026
