Franca mbërrin në “San Siro” me synimin për të siguruar një vend në gjysmëfinalet e Nations League, por përballë ka Italinë. Trajneri “azzurr” Roberto Mancini mbetet optimist, ndonëse është i kujdesshëm ndaj një skuadre franceze që vjen pa lojtarë kyç si Mbappé dhe Dembélé.
“Ata kanë lojtarë sulmues kaq të fortë, saqë edhe nëse lëndohen gjashtë prej tyre, kanë gjashtë të tjerë po aq të mire, në mos më të mirë. Mjafton të shihni lojtarët që kanë lënë në shtëpi, ata që nuk janë thirrur, ata që janë të dëmtuar dhe ata që do të luajnë realisht. Nuk besoj se cilësia e përgjithshme ndryshon shumë“, tha Mancini.
Italia e tij ka bërë hapa të mëdhenj përpara: “Duam të përmirësojmë disa gjëra që nuk shkuan në mënyrë të përsosur në Paris dhe të synojmë fitoren. Ky është objektivi ynë. Gjithashtu, synojmë të luajmë mirë, nëse është e mundur. Mentaliteti ynë duhet të jetë të luajmë për të fituar”.
“Ende kam dyshime për formacionin sot. Kam një ide mjaft të qartë, por mbeten ende disa vendime për t’u marrë. Dimarco luan në një sistem tjetër, por këta janë lojtarë që kanë luajtur edhe në mbrojtje me katër, ndaj nuk e kanë të vështirë të përshtaten. Ata mund të përshtaten në çdo skemë taktike“, tha Mancini.
“Kërkojmë konfirmim dhe përmirësim në krahasim me paraqitjet tona të fundit. Dhe duke qenë se kemi tashmë 7 pikë, na mbeten edhe dy ndeshje për të siguruar kualifikimin, gjë që është pozitive. Thjesht duhet të luajmë lojën tonë dhe të përpiqemi të fitojmë“, shtoi trajneri i Italisë.
“Të gjithë donin të shihnin lojtarë të rinj, gjë që është plotësisht e kuptueshme. Po përpiqemi t’i afrojmë ata dhe shpresojmë se po marrim vendimet e duhura. Nëse ka ndeshje apo situata ku dikush e meriton thirrjen në kombëtare sepse po kalon një sezon të shkëlqyer, ne do ta bëjmë ashtu siç kemi vepruar gjithmonë”, tha Mancini.







