Izraeli sulmon sërish ashpër Erdoganin, e quan diktator! Përgjigjet Turqia: Ne u japim zë atyre që ju shtypni

12 Nëntor 2026 | 09:04

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka shtuar edhe më shumë tensionet në përplasjen mes Izraelit dhe Turqisë, me deklaratat e tij nga foltorja e Konferencës së 31-të të OKB-së për Klimën, COP31, që po zhvillohet në Antalia të Turqisë.

Konkretisht, presidenti turk deklaroi se Izraeli duhet t’u sigurojë kontejnerë palestinezëve që jetojnë në Rripin e Gazës, të cilët po përballen me reshje të dendura shiu, si pasojë e të cilave kushtet e jetesës janë bërë jashtëzakonisht të vështira.

Izraeli reagoi menjëherë, duke e cilësuar Erdogan si “diktator”.

“Ditët e fundit, po marrim sërish lajme tronditëse nga Gaza. Shkatërrimi i infrastrukturës në Gaza, i kombinuar me reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet, ka bërë që dhjetëra mijëra tenda dhe strehime të përkohshme të përmbyten. Qindra mijëra vëllezër dhe motra tona në Gaza, të cilët nuk kanë një çati ku të strehohen, e veçanërisht fëmijët e pafajshëm që dridhen nga të ftohtit, po luftojnë për mbijetesë mes ujërave të përmbytjeve, në këto kushte dimërore, shpeshherë pa prindërit e tyre pranë.

Duhet ta them qartë: Askush që sheh, njeh apo bëhet dëshmitar i një situate kaq të turpshme për njerëzimin nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë”, deklaroi Erdogan.

Ministria e Jashtme e Izraelit iu përgjigj me një deklaratë të ashpër presidentit turk, duke theksuar se “diktatori turk ka gjetur edhe një herë një platformë ndërkombëtare për të përhapur propagandën e tij kundër Izraelit”.

“Edhe një herë, diktatori Erdogan përdor një forum ndërkombëtar për të promovuar fushatën e tij të gënjeshtrave kundër Izraelit. Hamasi, udhëheqësit e të cilit strehohen në Turqinë e Erdoganit, është përgjegjës për shkatërrimin në Gaza. Hamasi e nisi këtë luftë me masakrën e 7 tetorit dhe vendosi infrastrukturën e tij ushtarake në zona civile.

Ata që kujdesen vërtet për Gazën duhet të kërkojnë çarmatimin e Hamasit, në mënyrë që të mund të nisë rindërtimi”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme izraelite.

Përgjigjja e Turqisë nuk vonoi. Presidenca turke publikoi një deklaratë, në të cilën theksohet se presidenti Erdogan, nga samiti në Antalia, u dha zë të gjithë atyre që shtypen nga Izraeli, duke shprehur shqetësimin e një pjese të madhe të njerëzimit.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë në krah të palestinezëve dhe të gjithë atyre që vuajnë nga politikat agresive të Izraelit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vijon skandali i Nvidia, Jensen Huang dyshohet për një lidhje tjetër jashtëmartesore

Drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, po përballet me një tjetër akuzë për marrëdhënie jashtëmartesore, ndërsa kompania ndodhet nën presion për shkak të lidhjeve të...
08:51 | 12/11/2026

Kërcënime të forta nga Teherani, ushtria iraniane paralajmëron sulme ndaj bazave amerikane deri në Evropë

Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit paralajmëroi të mërkurën se bazat dhe interesat ushtarake amerikane ishin brenda rrezes së veprimit...
08:47 | 12/11/2026

Anija historike “SS United States” fundoset në brigjet e Floridas

Anija historike SS United States ka arritur në fund të udhëtimit të saj në det, ndërsa autoritetet kryen fundosjen e saj të mërkurën në brigjet...
08:40 | 12/11/2026