Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Në Prishtinë janë raportuar tri raste. Në rastin e parë, është raportuar se ish-bashkëshorti po ushtron vazhdimisht presion psikik ndaj dy fëmijëve të mitur. Për këtë rast nuk raportohet për të arrestuar, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Në rastin e dytë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes dhe e kishte larguar atë nga banesa e tyre. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në rastin e tretë, një çift dyshohet se është sulmuar fizikisht nga djali i tyre i mitur. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Kamenicë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se, nën ndikimin e alkoolit, kishte fyer vajzën e tij. Edhe ai është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Tri raste të tjera janë raportuar në Gjakovë. Në rastin e parë, një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshjeje. Ajo ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Në rastin e dytë, një person ka raportuar se është keqtrajtuar nga djali i tij i mitur. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor dhe, me dëshirën e saj, është kthyer në shtëpi, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati.
Ndërsa në rastin e tretë, një grua është keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Policia ka njoftuar edhe për një rast të mëhershëm në Gjakovë, të raportuar më 9 nëntor. Lidhur me këtë rast, më 11 nëntor është arrestuar një burrë, i cili pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.