Rama: Po vazhdojmë ta pastrojmë kryeqytetin, po angazhojmë kompani private
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se Komuna po vazhdon punën për pastrimin e kryeqytetit, pavarësisht, siç tha ai, pengesave dhe bllokimeve nga niveli qendror.
Duke folur para mediave, Rama tha se 72 milionë euro të dedikuara për blerjen e kamionëve dhe kontejnerëve, me qëllim të zgjidhjes së problemit të mbeturinave në kryeqytet dhe në rajon, janë bllokuar.
“Siç po e shihni, kemi ndërmarrë masa alternative, masa shtesë që përmes sektorit privat dhe me ndihmën e UNDP-së po vazhdojmë me pastruar kryeqytetin”, tha Rama, raporton Telegrafi.
“E dini që 72 milionë që kanë qenë të dedikuar që të blejmë më shumë se 100 kamionë dhe më shumë se 10 mijë kontejnerë që të zgjidhim problemin me mbeturina jo vetëm për kryeqytetin, por edhe për regjionin”,.
Ai ia atribuoi këtë bllokim Qeverisë së Kosovës, duke përmendur në veçanti ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
“Ky proces është bllokuar nga niveli qendror, pikërisht nga Hekuran Murati, si dhe shumë projekte të tjera, pasi Qeveria i përdor mekanizmat e vet për të bllokuar çdo projekt”, u shpreh Rama.
Kryetari i Prishtinës tha se, pavarësisht këtyre pengesave, komuna ka gjetur mënyra për të vazhduar pastrimin e qytetit.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës ka siguruar tashmë 14 kamionë nga sektori privat, ndërsa pritet të angazhohen edhe dhjetë të tjerë nga kompania “Pastrimi”.
“Do të kemi edhe dhjetë të tjerë që do të jenë të ‘Pastrimit’, pra 24 kamionë, dhe kjo do të ndikojë dukshëm në pastrimin e kryeqytetit”, potencoi Rama.
Ai theksoi se Komuna do të vazhdojë angazhimin për pastrimin e kryeqytetit, ndërsa qytetarët do të mund ta shohin këtë në terren.
Pretendimet e Ramës për bllokimin e mjeteve nga niveli qendror janë deklarata të tij dhe kërkojnë përgjigje nga Ministria e Financave për të pasqyruar edhe qëndrimin e palës tjetër. /Telegrafi/
div style="position: relative; overflow: hidden; padding-bottom: 177.78%">





























