Këtë të enjte, 12 nëntor 2026, Kombëtarja shqiptare zbret në fushë për një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.
Kuqezinjtë do të përballen me Finlandën në stadiumin “Air Albania”, në një duel ku objektivi është marrja e tri pikëve për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt vendit të parë në Grupin C1.
Të lidhura
None found
Skuadra e drejtuar nga Rolando Maran, vjen në këtë takim pas katër ndeshjeve të zhvilluara, ku ka grumbulluar 9 pikë dhe mban vendin e parë në grup.
Pas Shqipërisë renditen Bjellorusia dhe Finlanda me nga 7 pikë, ndërsa San Marino është në fund pa asnjë pikë.
Për këtë arsye, përballja e sotme merr një rëndësi të veçantë, pasi një fitore do t’i jepte Kombëtares një avantazh të rëndësishëm përpara ndeshjes së fundit ndaj Bjellorusisë.
Stafi teknik shfrytëzoi këtë seancë për të dhënë udhëzimet përfundimtare dhe për të përgatitur skuadrën në detajet e fundit përballë kundërshtarit. Fakti që grupi është i plotë i jep mundësi Maranit të zgjedhë formacionin më të përshtatshëm, pa pasur shqetësime për mungesa. Megjithatë, italiani nuk pritet të bëjë shumë eksperimente dhe synon të ruajë boshtin e skuadrës që ka përdorur në ndeshjet e fundit.
FORMACIONI I MUNDSHËM– Trajneri Rolando Maran duket se do t’i qëndrojë besnik skemës 3-4-2-1, e cila është alternativa e preferuar e tij. Me 27 futbollistët në dispozicion, italiani ka mundësi të zgjedhë mes disa alternativave, por nuk priten ndryshime të shumta në formacionin titullar. Në portë pritet të rikthehet Etrit Berisha, i cili mungoi në sfidën me San Marinon për shkak të pezullimit pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e mëparshme ndaj Finlandës. Në mbrojtje, treshja pritet të përbëhet nga Gjimshiti, Ismajli dhe Mitaj. Ky i fundit duket se ka fituar balotazhin me Ajetin për një vend në formacionin e parë.
Në mesfushë, Hysaj pritet të aktivizohet në krahun e djathtë, ndërsa Pilo në të majtin. Në qendër do të jenë Asllani dhe Ramadani, dy futbollistë që do të kenë përgjegjësinë për të kontrolluar lojën dhe për të ndihmuar skuadrën në të dyja fazat. Risia e mundshme lidhet me Qazim Laçin, i cili pritet të marrë vendin e Arbër Hoxhës në formacionin titullar. Laçi do të luajë në mbështetje të sulmuesit Rei Manaj, së bashku me Ernest Muçin, duke formuar dyshen pas qendërsulmuesit. Ndeshja Shqipëri-Finlandë do të luhet sot në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”. Kuqezinjtë synojnë fitoren për të ruajtur kreun e Grupit C1, përpara sfidës së fundit ndaj Bjellorusisë, që do të zhvillohet tri ditë më vonë në Budapest.








