Mungesa e hekurit në organizëm, hematologu Lako: Nuk shkaktohet nga kequshqyerja, ja simptomat që s’duhet të neglizhoni
Mungesa e hekurit në organizëm është një nga problemet më të shpeshta shëndetësore, por shpesh diagnostikohet dhe trajtohet në mënyrë të gabuar. Lodhja e vazhdueshme, rënia e flokëve, thyerja e thonjve, tharja e lëkurës dhe vështirësitë në përqendrim janë disa nga shenjat që mund të tregojnë mungesë hekuri.
I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, mjeku hematolog Sotiraq Lako shpjegoi se një nga keqkuptimet më të mëdha lidhet me shkakun e mungesës së hekurit nuk është marrja e pamjaftueshme e hekurit përmes ushqimit, por humbja e tij nga organizmi, kryesisht përmes gjakut.
“Në mentalitetin tonë e kemi që shkaku i mungesës është mosmarrja e hekurit me ushqime. Ndërkohë, në librat tanë është shkruar që shkaku i mungesës së hekurit nuk është problem marrjeje, por është problem humbjeje të hekurit. Dhe hekuri humbet kryesisht me anë të gjakut”, tha mjeku.
Sipas mjekut, gratë në moshën riprodhuese janë më të predispozuara për mungesë hekuri për shkak të ciklit menstrual, ndërsa rreziku rritet edhe gjatë shtatzënisë dhe në periudha të tjera kur organizmi ka nevoja më të larta për këtë element.
Një tjetër keqkuptim, sipas Lakos, është barazimi i mungesës së hekurit me aneminë. Ai theksoi se mungesa e hekurit mund të ekzistojë edhe kur hemoglobina rezulton normale në analizat e gjakut.
“Shumica e njerëzve kanë mungesë hekuri dhe një pjesë e tyre mund të kenë edhe anemi nga mungesa e hekurit. Kjo është ajo që ne mësojmë keq”, tha ai.
Hematologu renditi një sërë simptomash që mund të shfaqen edhe përpara se të zhvillohet anemia. Mes tyre janë lodhja dhe këputja, tharja e gojës, çarjet në cepat e buzëve, vështirësia në gëlltitje, rënia e flokëve, intoleranca ndaj të ftohtit, thyerja e thonjve, tharja e lëkurës dhe humbja e përqendrimit.
“Mungesa e hekurit ka ankesa jo thjesht të anemisë, por ankesat e veta. Është lodhja dhe këputja, tharja e gojës, çarja e këndeve të buzëve, vështirësia në gëlltitje, gjuha bëhet e shkëlqyer, rënia e flokëve, intoleranca ndaj të ftohtit, thyerja e thonjve, tharja e lëkurës, dhimbjet e kyçeve, mpirjet e duarve dhe këmbëve, humbja e përqendrimit”, u shpreh mjeku.
Për të vlerësuar rezervat e hekurit në organizëm, Lako rekomandoi matjen e ferritinës në gjak. Ai sqaroi se kjo analizë mund të zbulojë zbrazjen e depozitave të hekurit edhe në rastet kur hemoglobina është ende në vlera normale.
“Për hekurin kemi një analizë shumë të mirë, e cila quhet ferritinemia. Nëse ajo është poshtë 20 nanogramë për mililitër, fillohet të vlerësohet se cili është shkaku dhe të trajtohet. Është më mirë të parandalosh aneminë sesa të mjekosh edhe aneminë”, tha ai.
Mjeku paralajmëroi gjithashtu se marrja e hekurit pa vlerësuar shkakun e mungesës dhe pa përcaktuar dozën e duhur nuk është zgjidhje. Sipas tij, trajtimi duhet të bëhet me preparatin e përshtatshëm, dozën e përcaktuar dhe kohëzgjatjen që rekomandon mjeku specialist.
“Për të korrigjuar mungesën e hekurit duhet të marrësh preparatin e duhur, dozën e duhur, kohën e duhur. Është e pamundur të korrigjohen depot e hekurit me ushqime. Suplementi ditor që na duhet është i ndryshëm nga doza mjekuese”, tha ai.
Hematologu tha se mungesa e hekurit nuk duhet neglizhuar dhe as trajtuar me vetëdiagnostikim. Identifikimi i shkakut përmes analizave dhe ndjekja nga mjeku specialist janë thelbësore për të parandaluar zhvillimin e anemisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



