Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Ligji për Dhomat e Specializuara nuk është pjesë e rendit të ditës së seancës së Kuvendit të Kosovës.
E pyetur lidhur me këtë çështje, Haxhiu është përgjigjur shkurt.
“Nuk është në rend dite”, tha ajo, transmeton EO.
Ndërkaq, në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se duhet që fillimisht Ligji për Dhomat e Specializuara të procedohet në Kuvend në formën aktuale, përmes rrëzimit të vetos së presidentes me 61 vota.
Ajo ka thënë se më pas, si sponsorizuese e ligjit, PDK-ja do t’i shqyrtojë procedurat për amendamentimin e tij.
Sipas saj, synimi është që ligji të kontribuojë në mbrojtjen e të drejtave të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.