Berisha del nga SPAK: Kallëzimi im ndaj Irena Gjokës synon ndëshkimin ligjor të një personi që përbën turpin e njeriut
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë nga ambientet e SPAK, ku u paraqit këtë të enjte për t’u pyetur në lidhje me kallëzimin e depozituar prej tij ndaj gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka.
Berisha ishte thirrur nga Prokuroria e Posaçme në cilësinë e kallëzuesit, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj gjyqtares.
Në një deklaratë për mediat pas daljes nga SPAK, Berisha u shpreh se kallëzimi i tij nuk ka karakter personal, por synon ndëshkimin ligjor të Irena Gjokës, të cilën e cilësoi si “turpin e njeriut”, “turpin e zyrtarit” dhe “turpin e gjyqtarit”.
Ai deklaroi se kjo është hera e parë në jetën e tij që ka depozituar një kallëzim ndaj një personi, ndërsa paralajmëroi se do të padisë edhe institucione të tjera të drejtësisë, për atë që e konsideroi si papërgjegjshmëri në trajtimin e çështjes së gjyqtares.
“Ky kallëzim nuk ka asgjë personale, por synon ndëshkimin ligjor të një personi që përbën turpin e njeriut. Që përbën turpin e zyrtarit. Që përbën turpin e juristit. Turpin e gjykatësit”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së ngriti akuza të rënda ndaj Gjokës, duke pretenduar se ajo ka dy dëbime të vërtetuara nga Greqia, dy falsifikime dhe një dënim penal. Sipas tij, gjyqtarja nuk i ka pasqyruar këto të dhëna në formularin e dekriminalizimit, atë të vettingut dhe formularin e emërimit si kryetare e gjykatës.
Berisha paralajmëroi gjithashtu kallëzime ndaj institucioneve të drejtësisë, duke pretenduar se ato kanë treguar papërgjegjshmëri në trajtimin e rastit të Irena Gjokës.
“Ju garantoj se njëlloj si Irena do të paditen për papërgjegjshmërinë e tyre në rastin e Irenës me 5 mbiemra”, u shpreh ai.
Çështja ndaj gjyqtares Irena Gjoka lidhet me dyshimet për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit, pasi pretendohet se ajo nuk ka deklaruar një dënim të marrë më herët në Greqi.
Hetimet e SPAK ndaj saj vijojnë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme, e cila nuk pranoi kërkesën e prokurorisë për mbylljen e hetimeve dhe riktheu dosjen për plotësimin e veprimeve hetimore.
Irena Gjoka është gjyqtarja që ka shqyrtuar dhe firmosur vendime për kërkesat e SPAK në kuadër të dosjes “Partizani”, ku të pandehur janë Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi.




