Rama vazhdon i vendosur në modelin e tij që në krye të institucioneve të emërojë njerëz pa lidhje me to, pa përgatitjen dhe përvojën e lartë profesionale dhe nga rrethi i tij i ngushtë në Kryeministri.
Kjo ka bërë që të mos kemi institucione që t’i përgjigjen nevojave të vendit, por të kemi zgjatime të pushtetit të Ramës në to.
Praktika e mësipërme ka dëmtuar vetë Ramën. Qeverisja e tij nuk ka dalë dot përtej qerthullit të Kryeministrisë.
Institucionet jo vetëm nuk kanë përshpejtuar zhvillimin e vendit, por ato nuk e kanë ndihmuar vetë Ramën, nuk i kanë paraprirë në vendimmarrje, nuk ia kanë lehtësuar punën, përkundrazi, e kanë dëmtuar me korrupsion, gafa dhe paaftësi profesionale.
Eksperienca e institucioneve të sigurisë kombëtare, veçanërisht e CIA-s, na ka dhënë dy modele të emërimit të drejtuesit të saj:
E para: një profesionist me eksperiencë shumë të gjatë në institucion, me vizion për institucionin dhe besim të plotë nga trupa e tij, me kredibilitet të padiskutueshëm dhe lidhje të gjera me organizmat e vendeve partnere. Emërimi në fjalë, me gjithë përpjekjet për ta paraqitur si të tillë, nuk hyn në këtë kategori. Është udhëtare e rastësishme në SHISH, sikurse ajo që po zëvendëson.
E dyta: një politikan i nivelit të lartë e shumë të lartë, me kredibilitet, autoritet dhe vendosmëri për të realizuar ndryshimet e nevojshme dhe për ta mbajtur institucionin në roje të sigurisë kombëtare. Edhe në këtë rast, emërimi i ri dështon të jetë i tillë.
Mosreflektimi i Ramës ndaj një problemi kaq të rëndësishëm për vendin dhe për vetë qeverisjen e tij ka bërë që Shqipëria, në 13 vitet e fundit, të hyjë në kriza ciklike, të cilat kanë vënë në dyshim qeverisjen, rezultatet dhe vetë Ramën.
Protesta e fundit është rrjedhojë tipike e modelit të tij të qeverisjes së vendit, model ku mungon respekti ndaj institucioneve.









Komente
Komento