U dënua me mbi 7 vite burg, ende pa ekzekutuar vendimi për ish-kreun e Operacionales, Oltion Bistri. Policia: Nuk u gjet në banesë
Policia nuk ka arritur ende të ekzekutojë vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për ish-shefin e Forcës së Posaçme Operacionale, Oltion Bistrin. Sipas informacioneve, forcat e policisë kanë shkuar në banesën e tij, por nuk e kanë gjetur.
Një ditë më parë, Apeli i Posaçëm e dënoi Bistrin me 7 vite e 4 muaj burg, pas gjykimit të shkurtuar. Sipas përllogaritjeve të prokurorëve të SPAK, atij i kanë mbetur për të vuajtur 3 vite, 10 muaj e 14 ditë burg.
Gjykata e Posaçme e Apelit ndryshoi vendimin e Shkallës së Parë, duke e shpallur Bistrin fajtor edhe për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Në vitin 2025, Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar atë vetëm për zbulimin e akteve apo të dhënave sekrete.
Trupi gjykues vendosi gjithashtu konfiskimin e tre apartamenteve, dy bizneseve dhe një shume prej 1.3 milionë eurosh.
Oltion Bistri u hetua nga SPAK në kuadër të dosjes që lidhet me grupin kriminal të drejtuar nga Behar Bajri. Emri i ish-zyrtarit të Policisë së Shtetit doli në hetimet mbi komunikimet në aplikacionin e koduar Sky ECC, ku dyshohej për lidhje dhe bashkëpunim me anëtarë të grupit kriminal.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




