Strehimi social, Ibrahimaj flet me shifra: Ja sa familje kanë përfituar kredi të butë dhe sa është vlera që kursejnë nga programi
Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka folur me shifra sa i takon strehimit social, një program që mbështet familjet e reja dhe ato me të ardhura të ulta për të pasur një banesë të tyre.
Në Komisionin e Ligjeve, Ibrahimaj tha se janë 31 mijë familje shqiptare që kanë përfituar nga programi i strehimit.
Kredia me interes 0% sipas ministres, do të thotë më shumë kursime që shkojnë në buxhetin familjar për të përballuar jetesën.
“I kemi kushtuar rëndësi strehimit. Zhvillimi ekonomik na lejon që ne të kujdesemi për shtresat në nevojë, për kategoritë që kanë nevojë për vëmendjen e qeverisë.
Strehimi i përballueshëm lidhet me kategori individësh që janë në hapat e para të karrierës, familjet e reja. Ne kemi menduar të hartojmë një politikë që të krijojmë siguri më të madhe.
31 mijë familje shqiptare kanë përfituar nga programi i strehimit. Mbi 7 mijë kanë përfituar kredi të buta. Mbi 14 mijë familje janë mbështetur për pagesën e qerasë. Kemi ndërtuar mbi 1 mijë banesa sociale.
Nëvojat kanë ndryshuar. Qytetet tona janë rritur. Më shumë të rinjd duan të rrinë dhe të ndërtojnë karrierën e tyre.
Do e zgjerojmë politikën tonë për mbështetjen për kreditë e banesave me interes 0.
Nëse merret një kredi 6 mln lekë me afat 30 vjet me interes 0 do paguante 17 mijë lekë në muaj. 32 mijë lek në muaj do të shkonte kësti nëse norma e interesit do të ishte 5%. Diferenca do të shkojë për mbështetjen në buxhetin e familjes”, tha Ibrahimaj.




