Shisnin drogë afër shkollave, dy të arrestuar në Laç, sekuestrohen doza kanabisi dhe municion luftarak
Dy persona janë arrestuar në Laç, pasi dyshohet se ushtronin aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike në doza, kryesisht në afërsi të shkollave.
Në kuadër të operacionit të koduar “Quick Strike 2”, policia vuri në pranga shtetasit V. R., 23 vjeç dhe A. Gj., 36 vjeç, të dy banues në Laç, Kurbin.
Sipas policisë, dy të rinjtë u kapën në flagrancë pranë një shkolle në Laç, ndërsa gjatë kontrolleve fizike dhe në banesat e tyre u gjetën dhe u sekuestruan 126 doza të dyshuara narkotike, nga të cilat 113 doza kanabis dhe 13 doza kokainë.
Gjithashtu, uniformat blu sekuestruan municion luftarak dhe dy telefona celularë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se dy personat e arrestuar e ushtronin aktivitetin e shitjes së drogës në qytetin e Laçit, kryesisht pranë perimetrit të sigurisë së institucioneve arsimore.




