Paketa fiskale, profesionet e lira: Ligjet me efekt prapaveprues do t’i çojmë në Kushtetuese
Aleanca e Profesionistëve të Lirë paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse miratohen ndryshimet e propozuara në paketën fiskale që, sipas saj, kanë efekt prapaveprues dhe bien ndesh me Kushtetutën.
Gjatë diskutimeve të paketës fiskale në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Lulëzim Alushaj, konsulent bordi në Aleancën e Profesionistëve të Lirë, kundërshtoi dy propozime ligjore, atë për dividendin dhe atë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), duke argumentuar se parashikojnë zbatim retroaktiv.
“Sot, në komision, keni dy propozime ligjore, atë për dividendin dhe atë për TVSH-në, që parashikojnë efekt prapaveprues. Sipas nesh, të dyja janë në shkelje të Kushtetutës”, deklaroi Alushaj.
Ai kërkoi nga Kuvendi të rishikojë propozimet, duke paralajmëruar ndjekjen e rrugës ligjore, ashtu siç ndodhi më parë me ligjin për tatimin mbi të ardhurat.
“Ne nuk jemi këtu për të bërë politikë madje qendrojme larg saj. Por neni 155 i Kushtetutës i jep Kuvendit të Shqipërisë, dhe në përgjithësi të gjitha institucioneve të shtetit, përgjegjësinë që ligjet, veçanërisht ato fiskale, të mos kenë efekt prapaveprues, pra të mos jenë retroaktive. Për këtë arsye, ju kërkojmë të reflektoni. Ne jemi të gatshëm që, ashtu siç vepruam me ligjin për tatimin mbi të ardhurat, t’i drejtohemi sërish Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
Sipas Alushajt, ekzistojnë vendime të shumta të Gjykatës Kushtetuese që trajtojnë proporcionalitetin dhe respektimin e këtij parimi.
Përfaqësuesi i Aleancës ngriti shqetësimin edhe për ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal, të cilat, sipas tij, krijojnë pasiguri për bizneset dhe profesionistët e lirë.
“Ne nuk jemi gati, biznesi shqiptar nuk është gati dhe profesionet e lira nuk janë gati të përballen me ndryshime të ligjeve fiskale nga çdo qeveri, çdo dy vjet. Një biznes harton buxhetin në fund të vitit, duke u bazuar në një kuadër të caktuar fiskal, por më pas ndryshohet TVSH-ja dhe ai detyrohet të rishikojë të gjitha përllogaritjet”, u shpreh Alushaj.
Ai iu referua edhe numrit të ndryshimeve që kanë pësuar ligjet fiskale.
“Po jap vetëm një statistikë: ligji për tatimin mbi të ardhurat është ndryshuar 48 herë, një numër shumë i lartë. Ndërsa ligji i TVSH-së, i miratuar dy vite më parë, është rishikuar katër herë. Kjo çështje duhet parë në një kontekst më të gjerë dhe jo vetëm në aspektin e mbingarkesës fiskale që po na shkaktoni”, tha ai.
Alushaj ngriti gjithashtu shqetësimin për kostot shtesë që bizneset përballojnë për shkak të mosmarrëveshjeve me administratën tatimore dhe doganore.
“Në punën time të përditshme, konstatoj se shumica e konflikteve në gjykatat administrative shqiptare lidhen me organet tatimore dhe doganore. Pra, përgatitja dhe puna e zyrtarëve shqiptarë nuk rezulton të jetë në nivelin e duhur. Kemi shkelje afatesh, gjoba të pajustifikuara dhe mungesë transparence”, deklaroi ai.
Sipas Alushajt, bizneset detyrohen të përballojnë edhe koston e shërbimeve ligjore për të kundërshtuar vendimet e administratës.
“Ne, si avokatë, kur të marrim përsipër mbrojtjen e bizneseve në këto çështje, do t’u faturojmë edhe 21% TVSH. Pra, biznesi shqiptar preket dy herë: së pari, nga një shtet që nuk funksionon siç duhet dhe, së dyti, nga kostoja shtesë që do të paguajë për çdo faturë”, tha ai.
Profesionistët e lirë propozojnë prag TVSH 8 mln lekë, dividend 0% për të ardhurat deri 14 mln lekë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









