Dogana e Tiranës bllokon 2.1 tonë ushqime dhe lodra për fëmijë
156 mijë produkte me shkelje në etiketim
Një sasi e konsiderueshme mallrash të destinuara për tregun shqiptar është ndaluar në Doganën e Tiranës, pas konstatimit të parregullsive në etiketimin e produkteve. Bëhet fjalë për mbi 2.1 tonë produkte ushqimore dhe lodra për fëmijë, që përfshijnë rreth 156 mijë njësi të ambalazhuara.
Problematikat u evidentuan gjatë kontrolleve të ushtruara mbi bazën e analizës së riskut nga Dega Doganore Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Monitorimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Gjatë inspektimit fizik të ngarkesës, autoritetet konstatuan se në etiketat e produkteve përfundimtare mungonte informacioni për datën e jetëgjatësisë minimale ose afatin e përdorimit. Ky element përbën një kërkesë të detyrueshme ligjore për informimin e konsumatorëve dhe garantimin e sigurisë së produkteve që hidhen në treg.
Parregullsitë e konstatuara lidhen me detyrimet e përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 434, datë 11 korrik 2018, për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit.
Për shkak të shkeljeve të evidentuara, administrata doganore vendosi bllokimin e të gjithë ngarkesës dhe ndalimin e çlirimit të mallrave, deri në përfundimin e verifikimeve dhe procedurave ligjore.
Ndërkohë, Dogana e Tiranës dhe strukturat përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave janë angazhuar për shqyrtimin e rastit dhe përcaktimin e masave që parashikon legjislacioni në fuqi.
Autoritetet doganore deklarojnë se kontrollet ndaj mallrave të importuara do të vijojnë me synimin për të parandaluar tregtimin e produkteve që nuk përmbushin standardet ligjore dhe për të mbrojtur konsumatorët nga informacioni i paplotë apo i pasaktë mbi produktet që blejnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



