Ligji për Gjykatën Speciale do të shkojë për rivotim në Kuvendin e Kosovës pa ndryshime, pavarësisht se presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu për rishqyrtim më 22 tetor, me kërkesë të PDK-së. PDK dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë rënë dakord që në seancë plenare të paraqitet i njëjti tekst i miratuar më 6 tetor, por mbetet e paqartë nëse do të sigurohen 61 votat e nevojshme për të rrëzuar veton e presidentes.
Komisioni për Legjislacion shqyrtoi sot vendimin e presidentes. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, sqaroi se partia e saj dhe Vetëvendosje kishin interpretime të ndryshme për mundësinë e ndryshimit të ligjit gjatë rishqyrtimit, ndaj u vendos që teksti të shkojë për rivotim në formën aktuale.
“Ne sot jemi në një situatë që duhet ta procedojmë ligjin për miratim në Kuvend në formën siç është. Pastaj, ne do të nisim një proces të ri të amendamentimit të ligjit”, tha Deliu-Kodra.
Megjithatë, Vetëvendosje vazhdon të ketë rezerva për ligjin. Kryetari i komisionit, Vigan Qorolli, e cilësoi nismën “të ngutshme, juridikisht të pamjaftueshme dhe pa ndonjë vlerë të mirëfilltë”.
Nisma për ndryshimin e ligjit u ndërmor nga PDK-ja më 21 shtator, pesë ditë pasi Gjykata Speciale në Hagë dënoi në shkallë të parë katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Më 6 tetor, pas disa javësh protesta, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet me 88 vota pro. Po atë ditë u zgjodh edhe presidentja Justina Shiroka-Pula.
Ndryshimet nuk e shfuqizojnë Gjykatën Speciale, por synojnë të kufizojnë juridiksionin e saj te krimet që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për trafikim organesh, përfshirë vrasjet dhe torturat që kanë lidhje me këto pretendime. Periudha e krimeve që mund të gjykohen kufizohet nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000, ndërsa përjashtohen krimet e pretenduara në veri të Shqipërisë.
Ligji parashikon gjithashtu transferimin në Kosovë të çështjeve që mbeten jashtë juridiksionit të Speciales, si dhe të rasteve në procedurë në Gjykatën Supreme. Dënimi maksimal kufizohet në 15 vite burg, ndërsa të dënuarve u jepet mundësia e faljes presidenciale, dispozitë që bie ndesh me ligjin aktual të Kosovës për faljen.
Bashkimi Evropian i ka kundërshtuar ndryshimet. Komisionarja për Zgjerimin, Marta Kos, i cilësoi ato të papranueshme më 12 tetor, duke thënë se bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së. Brukseli mirëpriti kthimin e ligjit në Kuvend, ndërsa më 4 nëntor Kos konfirmoi se po zhvilloheshin bisedime me Qeverinë e Kosovës.
Edhe Dhomat e Specializuara, të krijuara në vitin 2015, kanë bërë të ditur se nuk janë konsultuar për ndryshimet. Kryetarja e gjykatës, Ekaterina Trendafilova, ka theksuar se mandati i saj mbështetet në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe në marrëveshjet ndërkombëtare.
Sipas Rregullores së Kuvendit, komisioni ka katër javë kohë për të përgatitur raportin. Nëse ligji është pranuar më 26 tetor, afati përfundon më 23 nëntor. Për miratimin e tij duhen të paktën 61 vota, në të kundërt çështja mund të rikthehet vetëm përmes një nisme të re ligjore.






Komente
Komento