Një lajm tragjik ka tronditur botën e bodybuilding-ut. Sportistja e njohur Alix Small, kampione e dyfishtë në kategorinë Fitness dhe pjesëmarrëse në garën prestigjioze Olympia, ka ndërruar jetë në moshën vetëm 26-vjeçare.
Lajmi për vdekjen e saj u bë publik nga faqja Beyond The Stage TV në Instagram. Ngjarja u konfirmua nga nëna e saj dhe shoqja e saj më e ngushtë.
“Jemi të tronditur nga lajmi i tmerrshëm për ndarjen nga jeta të Alix Small, fituese dy herë e titullit Fitness Pro dhe konkurrente në Olympia. Informacionin e morëm nga nëna dhe shoqja e saj më e mirë. Mendimet tona janë me familjen dhe miqtë e saj”, thuhej në njoftim.
Shkaku i vdekjes së saj nuk është bërë ende i ditur, ndërsa lajmi ka qenë i papritur për komunitetin e bodybuilding-ut. Alix Small kishte një karrierë premtuese. Ajo siguroi kartën profesionale IFBB Pro në moshën 19-vjeçare dhe debutoi si profesioniste në vitin 2021. Po atë vit, arriti një fitore të rëndësishme në kampionatin Europa Pro në Spanjë, duke siguruar pjesëmarrjen në garën e saj të parë Olympia, ku u rendit në vendin e 12-të.

