
Fustani i famshëm i zi i Princeshë Dianës, i njohur në mbarë botën si “Revenge Dress” (Fustani i Hakmarrjes), është rikthyer në vëmendjen e publikut. Veshja ikonike po ekspozohet në ambientet e shtëpisë së ankandeve Sotheby’s në Gjenevë, përpara se të dalë në ankand për herë të parë pas gati 30 vitesh.
Fustani prej mëndafshi të zi, i krijuar nga stilistja Christina Stambolian, u vesh nga Diana më 29 qershor 1994, në të njëjtën mbrëmje kur Princi Charles pranoi publikisht se kishte qenë i pabesë gjatë martesës së tyre. Zgjedhja e Dianës për këtë veshje elegante dhe provokuese u bë një nga momentet më të komentuara në historinë e familjes mbretërore britanike. Pamja e saj atë mbrëmje u interpretua gjerësisht si një mesazh vetëbesimi dhe pavarësie, duke i dhënë fustanit emrin me të cilin njihet edhe sot.
