
Çantat prej sateni po rikthehen në qendër të vëmendjes këtë sezon dimëror, duke sjellë një kombinim të veçantë mes elegancës klasike, romantizmit dhe stilit retro. Me shkëlqimin e tyre delikat dhe teksturën karakteristike, ato po shndërrohen në një alternativë gjithnjë e më të preferuar ndaj çantave tradicionale prej lëkure.

Pas disa sezonesh ku dominuan modelet minimaliste, stilistët po rikthejnë në modë materialet me teksturë të veçantë dhe detajet dekorative. Çantat prej sateni i japin një tjetër dimension edhe veshjeve me ngjyra neutrale, ndërsa modelet e vogla, çantat e shpatullave në nuanca të thella dhe ato elegante të dorës sjellin një frymë të së kaluarës në një interpretim modern.
Një nga veçoritë që e bën këtë trend interesant është se çantat prej sateni nuk rezervohen më vetëm për eventet apo daljet e mbrëmjes. Ato kombinohen lehtësisht edhe me veshjet e përditshme, si trikot e trasha, xhinset e gjera, palltot e leshta apo kostumet elegante. Kontrasti mes materialeve dimërore dhe shkëlqimit të butë të satentit krijon një pamje të rafinuar pa pasur nevojë për shumë aksesorë. Shtëpitë e njohura të modës po propozojnë modele për shije të ndryshme. Nga çantat e gjata dhe të ngushta në formën lindje-perëndim të markave Staud dhe Alaïa, te modelet më të buta të Prada-s dhe krijimet me linja të strukturuara të Liffner, zgjedhjet janë të shumta.

Qoftë për një kafe në mëngjes, një ditë në qytet apo një koktej në mbrëmje, çanta prej sateni duket se do të jetë një nga aksesorët që do të bëjnë diferencën këtë dimër. Një detaj i vogël, por që mund t’i japë elegancë dhe karakter edhe veshjes më të thjeshtë.

