Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka bërë akuza të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke pretenduar se hetimet ndaj tij janë ndikuar nga ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal dhe ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Meta deklaroi se Prokuroria ka kryer shkelje dhe se, sipas tij, veprimet e saj janë diktuar nga ndikime të jashtme. “Prokuroria ka bërë veç shkelje e ndikuar nga Charles McGonigal dhe Yuri Kim, armike e përbetuar e Shqipërisë, në shërbim të Serbisë”, u shpreh Meta.
Më tej, ai riktheu pretendimet për ndërhyrje të ambasadave të huaja gjatë kohës kur ishte President i Republikës, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Meta tha se ishte kërcënuar nga përfaqësues të pesë ambasadave, të cilët, sipas tij, kërkonin që në Kushtetuese të emërohej Arta Vorpsi dhe jo Marsida Xhaferllari.
“Jam kërcënuar si President i Republikës nga pesë fëlliqësira ambasadash, që përfaqësonin pesë ambasada të huaja, që të mos ishte Marsida Xhaferllari në Kushtetuese, por të ishte ajo e Lanës, Arta Vorpsi”, deklaroi ai. Në lidhje me çështjen e lobimit, për të cilën është hetuar, Meta u shpreh se ishte i gatshëm të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara me shpenzimet e tij për t’u përballur me drejtësinë, nëse autoritetet amerikane do të konstatonin qoftë edhe një shkelje të vetme nga ana e tij.
