Balla i “mbylli derën” për Asamblenë, Ndreca: Veliaj nuk kërkon leje nga PS-ja, por nga SPAK-u
Avokati Plarent Ndreca ka komentuar edhe kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, që do të zhvillohet ditën e shtunë. Sipas Ndrecës, bëhet fjalë për një kërkesë legjitime të një anëtari të Asamblesë së PS-së, i cili kërkon të ushtrojë të drejtën e tij për të qenë pjesë e mbledhjes.
Ndreca theksoi se Veliaj, përveçse anëtar i Asamblesë Kombëtare, është edhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, drejtues politik i qarkut Tiranë dhe kryetar i PS-së së Tiranës. Për këtë arsye, sipas avokatit, ai ka të drejtë të njihet me rendin e ditës dhe çështjet që do të diskutohen, si dhe të marrë pjesë në mbledhje.
“Është një kërkesë e një anëtari të Kryesisë së Partisë Socialiste, drejtuesit politik të qarkut Tiranë, kryetarit të Partisë Socialiste Tiranë, për të marrë pjesë si një person i cili është anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Kërkesa lidhet me rendin e ditës, me çështjet që duhen diskutuar apo me mundësinë që duhet t’i krijohet zotit Veliaj për të marrë pjesë në këtë mbledhje, jo vetëm fizikisht, por edhe nga pikëpamja teknologjike, t’i krijohen mundësitë që ai të mbajë fjalën e tij.
Kërkesa, ashtu siç është interpretuar gabimisht në media, në disa media, nuk i është drejtuar Asamblesë së Partisë Socialiste për të marrë leje, sepse nuk ka nevojë për leje, pasi ai është anëtar ex officio i Asamblesë, por i është kërkuar Asamblesë që t’i krijojë kushtet, pra duke i dhënë rendin e ditës, duke i dhënë informacionet dhe duke i krijuar mundësinë që të flasë në Asamble.
Ndërkohë, leja ligjore për të marrë pjesë në Asamble është kërkuar nga prokurorët e çështjes, pra SPAK.”, tha Ndreca




