Ministria e Mjedisit ka urdhëruar më 3 nëntor 2026 shfuqizimin e lejes mjedisore të tipit A për kompaninë “Kurum International”, e cila operon në hapësirat e Kombinatit Metalurgjik në Bradashesh të Elbasanit.
Vendimi i firmosur nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, i heq kompanisë të drejtën e ushtrimit të aktivitetit për prodhimin dhe shkrirjen e gizës dhe çelikut, përpunimin e metaleve, si dhe prodhimin e gëlqeres në furra rrotulluese.
Kompania e zotëronte këtë leje mjedisore prej shtatorit të vitit 2016, por procedurat për revokimin e saj nisën në verën e këtij viti, katër muaj pas valës së arrestimeve për skandalin e eksportit të mbetjeve të rrezikshme. Sipas dokumentit zyrtar të ministrisë së mjedisit, kërkesa për heqjen e lejes u bë në në fund të qershorit nga strukturat e inspektimit mjedisor.
“Propozimi ka ardhur nga Drejtoria e Inspektim Kontrollit pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, AKM, e cila me Vendimin Përfundimtar të Inspektimit…datë 25.06.2026 propozoi shfuqizimin e lejes mjedisore,” thuhet në urdhrin e ministrit Jaupaj.
Ky sanksion i AKM u ankimua nga kompania pranë Inspektoratit të Përgjithshëm në përpjekje për të mbajtur në fuqi licencën e operimit. Megjithatë, më 15 shtator 2026, Komisioni i Shqyrtimit të Ankimit vendosi lënien në fuqi të vendimit përfundimtar të inspektimit. Më 21 tetor Agjencia Kombëtare e Mjedisit, pas kwtij vendimi i përcolli zyrtarisht ministrisë propozimin për heqjen e lejes.
Ndëshkimi administrativ ndaj një prej operatorëve më të mëdhenj të industrisë së rëndë në vend vjen pas një krize të thellë mjedisore dhe ligjore që e ka vënë kompaninë në qendër të hetimeve penale.
Skandali shpërtheu në verën e vitit 2024, kur organizata ndërkombëtare “Basel Action Network” (BAN) ngriti alarmin se mbi 100 kontejnerë me mijëra tonë pluhur toksik furrash, të gjeneruar nga shkrirja e skrapit dhe çelikut në uzinat e Elbasanit, ishin ngarkuar në Portin e Durrësit dhe po transportoheshin me anije drejt Tajlandës. Një investigim i BIRN në atë kohë gjeti se mbetjet ishin me origjinë kompaninë KURUM. Pas refuzimit nga autoritetet tajlandeze, ngarkesa u kthye në Shqipëri në vjeshtën e po atij viti dhe u sekuestrua nga Prokuroria e Durrësit në zonën e Porto Romanos për t’iu nënshtruar analizave laboratorike.
Hetimet e kryera për më shumë se një vit e gjysmë nga Prokuroria e Durrësit zbuluan një skemë të dyshuar kontrabande dhe falsifikimi dokumentesh, ku mbetjet e rrezikshme me përmbajtje të lartë metalesh të rënda shiteshin dhe deklaroheshin në doganë si oksid hekuri jo i rrezikshëm, me qëllim shmangien e kostove të larta financiare për trajtimin dhe asgjësimin e tyre sipas ligjit.
Në fillim të shkurtit 2026, prokuroria lëshoi 33 urdhër-arresteve për drejtues e punonjës të kompanisë “Kurum”, administratorë të kompanive tregtare që kryen eksportin, përfaqësues të koncesionarit në Portin e Durrësit, zyrtarë doganorë si dhe zyrtarë e inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Sipas akuzës, kompania prodhuese kishte shkelur detyrimet e lejes mjedisore në menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme, ndërsa strukturat e AKM-së kishin dështuar për vite me radhë të kontrollonin në terren vetëdeklarimet e kompanisë dhe gjurmueshmërinë e lëndëve toksike.
Në fund të marsit 2026, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm zbuti masat e sigurisë për një pjesë të madhe të të dyshuarve, duke liruar nga qelia disa prej zyrtarëve mjedisorë dhe punonjësve të përfshirë në zinxhirin operacional përmes masave më të lehta. Prokurorja e çështjes Suela Beluli i tha BIRN se hetimet ishin në fazën përfundimtare, por se akuza ishte ende në pritje të përgjigjeve të disa letër porosive.







