E enjte, 12 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Dy plagosje me thikë në Fushë-Krujë, një i arrestuar, dy të tjerë në kërkim
Lajme

Dy plagosje me thikë në Fushë-Krujë, një i arrestuar, dy të tjerë në kërkim

Dy episode të dhunshme, të ndodhura në rrethana të ndryshme, kanë tronditur Fushë-Krujën, ku dy persona kanë përfunduar të plagosur me thikë pas konflikteve mes disa shtetasve. Për njërën ngjarje policia ka vënë në pranga një 49-vjeçar, ndërsa për rastin e dytë janë shpallur në kërkim dy vëllezër.

Rasti i parë është regjistruar në ambientet e një lokali, ku një konflikt i çastit mes dy personave ka përfunduar me përdorimin e thikës. Si pasojë, Aurel Doda ka mbetur i plagosur.

Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka arrestuar Shkëlqim Curajn, 49 vjeç, i dyshuar për plagosjen. Sipas të dhënave paraprake, ai dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin kur ka ndodhur përplasja.

Një tjetër episod dhune është shënuar pranë Urës së Gjolës, ku një konflikt mes drejtuesve të dy automjeteve ka përfunduar gjithashtu me plagosje me thikë.

Përplasja fillestare raportohet të ketë ndodhur mes automjetit të drejtuar nga Donald Caca dhe atij që drejtohej nga Ardjan Xheka. Debati mes tyre është përshkallëzuar, duke kaluar nga përplasja verbale në përdorimin e armës së ftohtë.

Si pasojë, Ardjan Xheka ka marrë plagë dhe është transportuar drejt Spitalit të Traumës, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Për këtë rast, policia ka shpallur në kërkim vëllezërit Donald dhe Halil Caca, të dyshuar për përfshirjen në plagosjen e Xhekës.

Nga hetimet paraprake dyshohet se mes palëve ka pasur konflikte të mëparshme dhe se përplasja mes automjeteve ka shërbyer si shkëndijë për rikthimin e tensioneve, të cilat këtë herë përfunduan në dhunë fizike.

Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të të dyja ngjarjeve, ndërsa po punohet edhe për lokalizimin dhe kapjen e dy personave të shpallur në kërkim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.