Profesionistët e lirë propozojnë prag TVSH 8 mln lekë, dividend 0% për të ardhurat deri 14 mln lekë
Në dëgjesën në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, përfaqësuesit e Aleancës së Profesionistëve të Lirë paraqitën kundërshtitë dhe propozimet e tyre lidhur me ndryshimet e parashikuara në paketën e re fiskale, veçanërisht për uljen e pragut të regjistrimit në TVSH dhe taksimin e dividendit.
Artur Papajani përfaqësues i APL argumentoi se ndryshimi i pragut të TVSH-së nuk duhet parë vetëm në funksion të të ardhurave të pritshme prej 4.5 miliardë lekësh, por edhe në raport me kostot dhe përfitimet që sjell për bizneset dhe administratën tatimore. Sipas tij, këto ndryshime do të rëndojnë si mbi bizneset, ashtu edhe mbi konsumatorët.
“Pragu i TVSH-së nuk është i lidhur drejtpërdrejt me informalitetin dhe se ulja e tij mund të nxisë shmangien e detyrimeve tatimore, pasi një pjesë e bizneseve mund të tentojnë të deklarojnë xhiro më të ulët për të qëndruar jashtë skemës së TVSH-së”, pohoi ai.
Papajani iu referua edhe një materiali të FMN-së të vitit 2019, ku për Shqipërinë ishte vlerësuar si optimal pragu prej 8 milionë lekësh. Sipas tij, edhe pse në relacionin shoqërues përmendet një prag prej 5 milionë lekësh, ai konsideron se niveli prej 8 milionë lekësh është më i përshtatshëm.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me fermerët, të cilët mund të preken nga ulja e pragut dhe të shkëputen nga skema e kompensimit. Sipas Papajanit, në përllogaritjen e pragut prej 8 milionë lekësh nga FMN ishte marrë në konsideratë edhe efekti që do të kishte kjo masë te fermerët.
Ai kërkoi gjithashtu që vendimi të shoqërohet me një dispozitë të qartë ligjore, ku të përcaktohen kategoritë e bizneseve që do të përfshihen në skemën e TVSH-së. Sipas tij, formulimi aktual i ligjit ka krijuar paqartësi, pasi lë të kuptohet se nga 1 janari 2027 të gjitha bizneset që kalojnë xhiron vjetore prej 5 milionë lekësh do të duhet të regjistrohen në TVSH.
“Ndryshimi i pragut nuk duhet parë si e ardhur prej 4.5 miliardë lekësh, por duhet të bëhet një analizë kosto-përfitim, për të parë sa u kushton bizneseve dhe administratës fiskale. Këto janë kosto që do të rëndojnë mbi konsumatorët dhe bizneset.
Pragu nuk ka lidhje me informalitetin. Tatimpaguesit do të përshtaten dhe do të ketë tendenca informaliteti. Shumë biznese do të tentojnë të copëzojnë xhiron për të qëndruar jashtë skemës.
Në një material të FMN-së të vitit 2019, pragu optimal për Shqipërinë ishte llogaritur në 8 milionë lekë. Në relacionin shoqërues thuhet se pragu është 5 milionë lekë, por ne mendojmë se ky nivel është i ulët.
Një grup që do të goditet nga kjo masë janë fermerët, të cilët rrezikojnë të shkëputen nga skema e kompensimit. Në llogaritjen e pragut prej 8 milionë lekësh ishte përfshirë edhe efekti që do të kishte kjo masë te fermerët.
Vendimi për regjistrimin e bizneseve që preken nga ulja e pragut duhet të kishte një dispozitë të qartë ligjore, ku të përcaktohej se cilat grupe do të regjistrohen në TVSH. Konceptimi aktual i ligjit nuk përcakton se cilat kategori përfshihen, duke lënë të kuptohet se nga 1 janari 2027 të gjitha bizneset që kalojnë xhiron vjetore prej 5 milionë lekësh do të duhet të hyjnë në skemën e TVSH-së. E gjithë kjo ka krijuar konfuzion te bizneset”, pohoi Papajani.
Ndërkohë, Julian Saraçi u ndal te efektet ekonomike dhe administrative të uljes së pragut. Duke iu referuar relacionit shoqërues të Ministrisë së Financave, ai tha se nga kjo masë parashikohet të përfitohen 4.5 miliardë lekë të ardhura shtesë në buxhet dhe të përfshihen rreth 17,500 biznese të reja në skemën e TVSH-së.
Sipas Saraçit, efekti mesatar për çdo tatimpagues llogaritet në rreth 3 mijë euro, ndërsa kostot për administratën tatimore për menaxhimin e numrit të shtuar të bizneseve do të jenë të konsiderueshme. Propozimi i tyre është që pragu i regjistrimit në TVSH të jetë 8 milionë lekë, në përputhje me rekomandimet e FMN-së dhe kuadrin europian.
Propozimi për ndarjen e dividendit në 2 fasha
Julian Saraçi propozoi vendosjen e një fashe me 0% tatim mbi dividendin për të ardhurat nga 10 deri në 14 milionë lekë, ndërsa për pjesën mbi këtë fashë të aplikohet norma 15%. Sipas tij, kjo do të ruante neutralitetin fiskal mes personave fizikë dhe SHPK-ve, duke shmangur taksimin e dyfishtë dhe pabarazinë mes tyre. Ai argumenton se efekti në buxhet do të ishte minimal, ndërsa lehtësimi fiskal do të ndihmonte në qëndrueshmërinë e bizneseve.
“Dividendi ka tre elemente. Së pari, kemi të bëjmë me një taksim të dyfishtë për personat juridikë, ku Shqipëria nuk ka një situatë shumë të ndryshme nga vendet e tjera.
Shumica e personave juridikë janë me një ortak të vetëm, i cili është njëkohësisht edhe administrator dhe ka një staf minimal. Mbi 90% e personave juridikë janë me një person.
Ne kemi bërë një simulim me dy nivele të ardhurash, 5 milionë lekë në vit dhe 14 milionë lekë në vit, që janë dy kufijtë e propozuar për tatimin mbi fitimin dhe TVSH-në.
Sa më shumë rriten të ardhurat, aq më shumë vërejmë se personat juridikë, si SHPK-të, shoqëritë kolektive dhe shoqëritë e thjeshta, paguajnë më shumë tatim mbi të ardhurat sesa një individ i punësuar. Kjo nuk është logjike në raport me natyrën e biznesit, pasi biznesi krijon vende pune dhe merr përsipër risqe.
Sa më lehtësuese të jenë politikat e dividendit, aq më e qëndrueshme do të jetë rritja ekonomike. Për këtë ka edhe studime të mirëfillta.
Në kontekstin rajonal, nëse shohim normën 15% të tatimit mbi dividendin, Shqipëria pozicionohet ndër vendet me normat më të larta, me përjashtim të Serbisë, e cila për disa kategori aplikon norma deri në 20%. Në Kosovë norma është 0%, në Maqedoninë e Veriut 10%, në Bosnjë-Hercegovinë varion nga 0% në 10%, në Malin e Zi është 0% për ortakët e vetëm, ndërsa në Serbi është 15% dhe për struktura të tjera 20%.
Kjo do të thotë se me normën 15% Shqipëria pozicionohet ndër vendet me nivelin më të lartë të taksimit të dividendit në rajon.
Propozimi ynë konkret është që të krijohet një fashë për të ruajtur neutralitetin e politikës fiskale mes personit fizik dhe SHPK-së. Për të ardhurat nga 10 milionë deri në 14 milionë lekë, kjo fashë të tatohet me 0% dividend, ashtu siç aplikohet edhe në Kosovë, ndërsa për pjesën tjetër të ardhurave të zbatohet norma 15%.
Efekti në buxhet i kësaj fashe do të ishte minimal dhe nuk do të cenonte të ardhurat buxhetore.
Nëse kjo nuk realizohet, shumë SHPK mund të kthehen në persona fizikë brenda dy viteve.”
Paketa fiskale, profesionet e lira: Ligjet me efekt prapaveprues do t’i çojmë në Kushtetuese
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









