Nga burgu i Fierit, pas takimit me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, avokati Plarent Ndreca ka deklaruar se ende nuk është bërë i mundur sigurimi i dokumentacionit që vërteton gjendjen shëndetësore të klientit të tij, duke e cilësuar situatën si absurde.

“Ky është një persekutim shëndetësor”, u shpreh Ndreca, duke ngritur shqetësimin për mënyrën sesi po trajtohet kryebashkiaku i Tiranës. Sipas avokatit, Veliaj vijon të qëndrojë në ambientet e spitalit, në izolim të plotë dhe pa komunikuar me askënd, sikur të ishte një person i rrezikshëm.

Sa i përket kërkesës së Erion Veliajt për të marrë pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste, Ndreca e cilësoi atë si një kërkesë legjitime të një anëtari të kësaj force politike.

Lidhur me kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor, avokati sqaroi se bëhet fjalë për një nismë që synon të hetojë pretendimet për kërcënime, të cilat, Veliaj i ka ngritur si shqetësim.

Ndreca u ndal edhe te qëndrimi i Partisë Socialiste ndaj çështjes së kryebashkiakut, duke theksuar se nuk ka dijeni për një qëndrim zyrtar të forcës politike, por vetëm për qëndrime individuale.

“Unë nuk di të ketë një qëndrim të Partisë Socialiste në lidhje me çështjen Veliaj, por qëndrime individuale. Partia Socialiste është një parti demokratike dhe kolegjiale”, deklaroi Ndreca.

Ai shtoi se nuk mund të thuhet se Partia Socialiste ia ka mbyllur derën kryebashkiakut të Tiranës, duke lënë të hapur çështjen e qëndrimit institucional të kësaj force politike ndaj kërkesave të Veliajt.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb