Hapat e para e dialogut me protestuesit janë hedhur. Ministri Blendi Gonxhja thotë se është takuar me të rinjtë protestues, të cilët janë shprehur pa asnjë kufizim e kompleks për shqetësimet e tyre.

Nga takimet janë mbajtur shënime dhe kjo do të vijojë me një plan konkret veprimi, thotë ministri në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv. Gonxhja shton se ky takim është paraprirë nga të tjerë me përfaqësues të OJF-ve.

“Tryeza është e barabartë. Të gjithë kanë folur pa asnjë lloj limiti ore për çfarëdo kanë pasur, për eksperiencat dhe shqetësimet e tyre, pa asnjë kufizim. Ishte formë shumë e bukur dialogu. Kemi një listë me shënime. Kjo do të përkthehet në plan veprimi, ndoshta edhe në qytete të tjera. Ka pasur takime edhe javën e shkuar dhe përpara saj nga përfaqësues të OJF-ve. Unë mbuloj 4 portofolë që kanë të bëjnë me rininë. S’ka qenë një takim as detyrues, as moralizues, as të kishte shtet e qeveri që i flet dhe u jep mend të rinjve. S’ka qenë një takim që ne mund të justifikonim pozicionin tonë”, tha Gonxhja.

Të rinjtë nuk kanë ngurruar të shprehin kritikat e tyre, vijoi ministri, ku s’kanë munguar as shqetësimet për disa ministri.

“Kanë ardhur të përfaqësojnë veten e tyre. Kam reflektuar shumë thellë dhe unë vetë për shumë aspekte”, tha Gonxhja.

Takimi me të rinjtë u zhvillua një ditë më parë. Gonxhja e ndau postimin në rrjete sociale ku cilësoi se në diskutim morën pjesë “zërat konstruktivë të protestës”.

Lajm në përditësim...