Aksion në Spitalin Memorial të Fierit, lëshohet urdhërarrest për drejtorin
Prokuroria e Fierit ka lëshuar urdhërarrest për drejtorin e Spitalit Memorial, Erblin Dollakaj, në një zhvillim që është shoqëruar me kontrolle nga strukturat e hetimit dhe shërbimet e Policisë.
Mësohet se veprimet po kryhen nga Oficerët e Policisë Gjyqësore (OPGJ), në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, të cilat kanë ushtruar kontrolle në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për këtë çështje.
Deri në këto momente, nuk ka një njoftim zyrtar nga Prokuroria e Fierit lidhur me objektin e plotë të hetimit, arsyet që kanë çuar në lëshimin e urdhërarrestit apo veprat penale që mund të dyshohet se janë kryer nga drejtori i spitalit.
Mbetet gjithashtu për t’u sqaruar nëse hetimet përfshijnë edhe persona të tjerë apo nëse kontrollet janë të përqendruara vetëm në ambientet e institucionit shëndetësor.
Pritet që në vijim të ketë më shumë detaje zyrtare mbi operacionin dhe dyshimet që kanë vënë në lëvizje Prokurorinë e Fierit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




