Aksion në Spitalin Rajonal të Fierit, lëshohet urdhërarrest për drejtorin
Prokuroria e Fierit ka lëshuar urdhërarrest për drejtorin e institucionit shëndetësor, Arben Voja, ndërsa paralelisht kanë nisur kontrollet në ambientet e spitalit.
Në kuadër të hetimit, Oficerët e Policisë Gjyqësore, së bashku me shërbimet e Policisë, po kryejnë kontrolle në ambientet e institucionit, në funksion të veprimeve hetimore të urdhëruara nga organi i akuzës.
Deri në këto momente, nuk ka një njoftim zyrtar që të sqarojë shkaqet konkrete që kanë çuar në lëshimin e urdhërarrestit, si dhe veprat penale për të cilat dyshohet drejtori i spitalit.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të zbulojnë kontrollet dhe nëse hetimet do të sjellin masa të tjera ndaj personave të përfshirë. Pritet që në orët në vijim të bëhen të ditura më shumë të dhëna mbi objektin e hetimit dhe veprimet e Prokurorisë së Fierit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



