BQE pritet të rrisë interesat në dhjetor, inflacioni në Eurozonë arrin në 4%
Banka Qendrore Europiane (BQE) pritet të rrisë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje në dhjetor, duke e çuar në 2.75%, ndërsa inflacioni në Eurozonë ka arritur në 4%, dyfishin e objektivit të bankës qendrore.
Të 71 ekonomistët e përfshirë në një sondazh të Reuters, të zhvilluar gjatë datave 10-12 nëntor, parashikojnë një rritje të interesave muajin e ardhshëm. Megjithatë, ekonomistët mbeten të ndarë nëse kjo do të jetë rritja e fundit apo nëse BQE do të vijojë shtrëngimin e politikës monetare edhe gjatë vitit 2027.
Nga të anketuarit, 46 ekonomistë, ose rreth 65% e tyre, presin që norma e depozitave të arrijë kulmin në 2.75% në dhjetor. Ndërsa 25 të tjerë parashikojnë një rritje shtesë, me shumë gjasa gjatë tremujorit të parë të vitit 2027.
BQE i ka rritur tashmë normat e interesit në qershor dhe shtator. Një tjetër rritje në dhjetor do ta çonte normën e depozitave mbi intervalin 1.75-2.50%, që banka qendrore e ka vlerësuar si nivel neutral për ekonominë, pra që as nuk nxit dhe as nuk kufizon aktivitetin ekonomik.
Inflacioni në 21 vendet e Eurozonës arriti në 4% në tetor, niveli më i lartë në tre vjet, nga 3.8% në shtator. Rritja e çmimeve të energjisë mbetet një nga faktorët kryesorë të presioneve inflacioniste.
Ekonomistët kanë rritur edhe parashikimet për inflacionin mesatar në 3.1% për vitin 2026 dhe 2.8% për vitin 2027, nga përkatësisht 3% dhe 2.6% që prisnin në sondazhin e mëparshëm.
Sipas parashikimeve, rritja e çmimeve do të mbetet pranë dyfishit të objektivit të BQE-së, prej 2%, të paktën deri në tremujorin e dytë të vitit 2027.
Megjithëse kontratat e ardhshme të naftës kanë shënuar rënie me më shumë se 20% gjatë javëve të fundit, ekonomistët paralajmërojnë se rreziqet inflacioniste mbeten të larta. Nivelet e ulëta të rezervave të gazit natyror përpara dimrit dhe pasiguria lidhur me situatën në Lindjen e Mesme mund të shkaktojnë një tjetër rritje të çmimeve të energjisë.
Edhe inflacioni bazë, që përjashton çmimet e ushqimeve dhe energjisë, pritet të përshpejtohet. Nga 2.2% në tetor, ai parashikohet të arrijë mesatarisht 2.6% në tremujorin e katërt dhe 2.8% në tremujorin e parë të vitit 2027.
Presionet mbi pagat përbëjnë një tjetër shqetësim, pasi punonjësit mund të kërkojnë rritje të tyre për të kompensuar humbjen e fuqisë blerëse.
Ndërkohë, ekonomistët kanë përmirësuar lehtë edhe parashikimet për rritjen ekonomike të Eurozonës. Ekonomia pritet të zgjerohet me 1.1% gjatë vitit 2026 dhe 1.3% në vitin 2027, nga përkatësisht 1% dhe 1.2% që parashikoheshin një muaj më parë.
Tregjet financiare aktualisht po përfshijnë në çmime mundësinë e dy deri në tri rritjeve të normave të interesit deri në fund të vitit 2027, ndërsa vendimi i ardhshëm i BQE-së pritet më 17 dhjetor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









