Denoncimi i publikuar një ditë më parë në JOQ Albania për ndotjen e rrugës “Frosina Plaku”, në zonën e 21 Dhjetorit në Tiranë, nuk ka kaluar pa reagim. Policia Rrugore ka ndëshkuar me 50 mijë lekë gjobë drejtuesin e një kamioni tip Scania, i cili shpërndante baltë dhe mbetje betoni në rrugë.
Pas publikimit të shqetësimit të qytetarit në redaksinë e JOQ, është vendosur masa administrative ndaj drejtuesit të mjetit. Në procesverbalin e gjobës, shënohet se kamioni qarkullonte duke shpërndarë baltë nëpërmjet rrotave dhe duke ndotur asfaltin.
Kujtojmë se qytetari denoncoi në JOQ se një betoniere kishte lënë pas zhurvor dhe mbetje betoni përgjatë segmentit të rrugës “Frosina Plaku”, duke ndotur asfaltin dhe vijat e kalimit të këmbësorëve. Sipas tij, ky segment rrugor nuk ishte shtruar prej të paktën një viti e gjysmë dhe situata ishte lënë pa zgjidhje.