Një person i dënuar ka qëndruar në burg përtej afatit kur duhej të ishte liruar, pasi prokurorja Albjona Papajani nuk kishte marrë parasysh periudhën e paraburgimit që ai kishte vuajtur në Greqi. Për këtë shkelje, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) vendosi sot t'i ulë pagën me 10% për gjashtë muaj prokurores, e cila në kohën e shkeljes ushtronte detyrën në Prokurorinë e Beratit.
Hetimi disiplinor ndaj Papajanit nisi pas një ankese të Avokatit të Popullit për mënyrën se si ishte përllogaritur koha e vuajtjes së dënimit.
Gjatë hetimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) konstatoi se prokurorja kishte neglizhuar në mënyrë të përsëritur detyrimet ligjore për ekzekutimin e vendimeve penale dhe bashkimin e dënimeve, duke mos përfshirë në përllogaritje periudhën e paraburgimit në Greqi.
Si pasojë, i dënuari kishte qëndruar në burg më gjatë sesa parashikonte dënimi i tij.
ILD e cilësoi këtë një shkelje të rëndë disiplinore, pasi kishte cenuar drejtpërdrejt të drejtën themelore të lirisë personale. Sipas institucionit, neglizhenca të tilla rrezikojnë të përsëriten edhe në raste të tjera, duke sjellë pasoja për personat e dënuar.
Për këtë arsye, ILD kishte kërkuar uljen e pagës së prokurores deri në 40% për një periudhë deri në një vit. Megjithatë, KLP e pranoi pjesërisht kërkesën, duke vendosur një masë më të lehtë disiplinore, uljen e pagës me 10% për gjashtë muaj.








Komente
Komento