Veliaj i izoluar, Ndreca: Po e persekutojnë, nuk na japin dokumentet mjekësore
Avokati Plarent Ndreca ka ngritur akuza për mënyrën se si po trajtohet kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, duke pretenduar se atij nuk po i sigurohet dokumentacioni mjekësor që vërteton gjendjen e tij shëndetësore. Deklaratat u bënë pas një takimi me klientin e tij në ambientet e burgut të Fierit.
Ndreca e cilësoi situatën si absurde, ndërsa pretendoi se Veliaj vijon të qëndrojë i izoluar në ambientet e spitalit, pa pasur mundësi komunikimi me persona të tjerë.
“Ky është një persekutim shëndetësor”, deklaroi avokati, duke kundërshtuar mënyrën e trajtimit të kryebashkiakut. Sipas tij, Veliaj po mbahet në kushte izolimi të plotë, ndërkohë që mungon dokumentacioni i nevojshëm për të pasqyruar gjendjen e tij shëndetësore.
Gjatë prononcimit, Ndreca komentoi edhe kërkesën e Erion Veliajt për të marrë pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste. Ai e konsideroi këtë një të drejtë legjitime të kryebashkiakut, në cilësinë e anëtarit të kësaj force politike.
Avokati foli gjithashtu për kërkesën e Veliajt për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, duke sqaruar se nisma lidhet me pretendimet e tij për kërcënime, të cilat kërkon të hetohen.
Një tjetër çështje e prekur nga Ndreca ishte qëndrimi i Partisë Socialiste ndaj situatës së kryebashkiakut. Ai tha se nuk ka dijeni për një vendim apo qëndrim zyrtar të strukturave të PS-së, por vetëm për reagime individuale nga përfaqësues të ndryshëm të saj.
“Unë nuk di të ketë një qëndrim të Partisë Socialiste në lidhje me çështjen Veliaj, por qëndrime individuale. Partia Socialiste është një parti demokratike dhe kolegjiale”, u shpreh Ndreca.
Ai hodhi poshtë gjithashtu idenë se Partia Socialiste ia ka mbyllur përfundimisht dyert Erion Veliajt, duke theksuar se deri më tani nuk ka një qëndrim institucional që të konfirmojë një vendim të tillë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



