Kryeministri Edi Rama është takuar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Dublin të Irlandës, përpara nisjes së punimeve të Samitit të 9-të të Komunitetit Politik Europian (EPC).
Takimi mes dy liderëve zhvillohet në kuadër të samitit, ku përfaqësues të vendeve europiane dhe partnerëve të tyre janë mbledhur për të diskutuar sfidat e përbashkëta politike dhe të sigurisë në kontinent.
Përpara takimit me Zelenskyn, Rama ka përsëritur qëndrimin e tij se Europa duhet të marrë vetë iniciativën diplomatike dhe të hapë një kanal komunikimi me Rusinë, krahas vijimit të mbështetjes ushtarake për Ukrainën.
Kryeministri kritikoi faktin që, sipas tij, diplomacia europiane i është lënë në dorë aktorëve të tjerë ndërkombëtarë, veçanërisht presidentit amerikan Donald Trump.
Rama theksoi se negociatat me Moskën nuk duhet të zhvillohen vetëm nga amerikanët, kinezët apo indianët, por duhet të jenë edhe përgjegjësi e Europës.
“Duhet të shohim atë që duhet bërë në interesin më të mirë të komunitetit europian. Unë besoj se është bërë gabim që diplomacia u është lënë në dorë të të tjerëve. Ka një përqendrim vetëm për mbështetje ushtarake për Ukrainën, që është gjëja e duhur për t’u bërë, pa mbajtur të hapur një kanal bisedimi për Rusinë. Na pëlqen apo jo, Rusia nuk do të shkojë askund dhe do të qëndrojë aty dhe e ardhmja e kontinentit është e përbashkët, për të cilën duhet të punojmë duke shfrytëzuar të gjitha mjetet. Ndërkohë që mbështesim gjatë gjithë kohës Ukrainën, na duhet të bisedojmë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se Europa duhet të marrë përgjegjësinë për diplomacinë me Moskën dhe të mos ia lërë këtë rol vetëm fuqive të tjera ndërkombëtare.
“Nuk duhet t’u takojë amerikanëve, kinezëve apo indianëve të bisedojnë me Rusinë. I takon Europës të kuptojë gabimin që ka bërë. Unë ndihem i trazuar që Europa e ka mbështetur te armët dhe jo te diplomacia. Unë përfaqësoj një vend me peshë të caktuar, nuk mund t’u jap leksione të mëdhenjve”, deklaroi kryeministri.
Rama kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi si delegim të diplomacisë europiane te presidenti amerikan Donald Trump, duke paralajmëruar se kjo qasje mund të ketë një kosto gjithnjë e më të lartë për kontinentin nëse nuk ndryshon.
“Europa ia ka nënkontraktuar diplomacinë e saj Donald Trumpit. Ky është rezultati. Europa duhet të kuptojë se ky gabim ka një çmim dhe do të bëhet më i lartë nëse Europa nuk flet me rusët, ndërkohë që mbështet Ukrainën”, u shpreh ai.
Në përfundim, kryeministri vlerësoi se Europa ka arritur të pengojë Rusinë të imponojë vullnetin e saj në Ukrainë, por sipas tij, mbështetja ushtarake për Kievin duhet të shoqërohet edhe me përpjekje diplomatike.