Një nga diamantet rozë më të rrallë në botë, i njohur si “Bulgari Pink”, është shitur për 14.6 milionë dollarë në ankandin prestigjioz “Magnificent Jewels”, të organizuar nga shtëpia e ankandeve Christie’s në Gjenevë të Zvicrës.
Diamanti 24 karatësh, me prerje smeraldi dhe ngjyrë intensive rozë, ishte një nga objektet më të spikatura të ankandit, duke tërhequr vëmendjen e koleksionistëve ndërkombëtarë.
Sipas Christie’s, guri i çmuar është rikthyer në treg pas më shumë se shtatë dekadash larg vëmendjes së publikut. I cilësuar nga ekspertët si “Mona Lisa e diamanteve rozë”, ai mbart një histori të veçantë që nis në Indi, në vitet 1950.
Diamanti i papërpunuar u ble nga stërgjyshërit e pronarit të mëparshëm dhe besohet se vjen nga një prej rajoneve historike të prodhimit të diamanteve në Indi. Në vitet 1950, diamanti u vendos në një unazë nga shtëpia italiane e bizhuterive Bulgari, prej nga mori edhe emrin me të cilin njihet sot.
Përveç ngjyrës së tij të jashtëzakonshme, “Bulgari Pink” dallohet edhe për karakteristikat e rralla mineralogjike. Pavarësisht interesit të madh që ngjalli në ankand, “Bulgari Pink” nuk arriti të thyejë rekordin e vendosur nga një tjetër diamant rozë.
Në vitin 2023, diamanti “The Eternal Pink” u shit në një ankand të Sotheby’s për plot 35 milionë dollarë, duke konfirmuar vlerën e jashtëzakonshme që koleksionistët janë të gatshëm të paguajnë për gurë të tillë të rrallë.

