Drafti i ri për bankat, rregulla për konfliktet me klientët dhe kompanitë e kredive me probleme

Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj të ri për bankat dhe institucionet financiare jobanka, që parashikon rregulla për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me klientët, kufizime për kompanitë që blejnë kreditë me probleme dhe kërkesa më të detajuara për mbikëqyrjen e sektorit financiar.
Projektligji “Për ushtrimin e veprimtarisë të institucioneve të kreditit dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të tyre” synon të zëvendësojë ligjin ekzistues për bankat, të miratuar në vitin 2006, dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Një nga dispozitat e draftit lidhet me zgjidhjen e konflikteve ndërmjet bankave dhe konsumatorëve. Neni 342 parashikon që Banka e Shqipërisë të krijojë një njësi të posaçme për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve, e cila do të shqyrtojë dhe zgjidhë konfliktet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e konsumatorit.
Sipas projektligjit, “Banka e Shqipërisë është autoriteti përgjegjës për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve, pas një ankese të paraqitur nga konsumatorët që janë klientë të institucioneve të kreditit”.
Njësia do të funksionojë sipas rregullave që do të miratohen nga Banka e Shqipërisë, ndërsa vendimet e saj do të kenë efektet juridike të përcaktuara në legjislacionin për mbrojtjen e konsumatorit.
Drafti përcakton gjithashtu procedurat për trajtimin e ankesave, për të cilat bankat duhet të japin përgjigje brenda 15 ditëve pune, përveç rasteve kur legjislacioni specifik parashikon ndryshe. Institucionet duhet të konfirmojnë marrjen e ankesës dhe t’i japin klientit informacion për procedurën dhe afatin e shqyrtimit.
Një pjesë tjetër e projektligjit i kushtohet veprimtarisë së institucioneve financiare jobanka, veçanërisht kompanive që blejnë dhe mbledhin kreditë me probleme.
Neni 318 përcakton kufizime për interesat, penalitetet dhe tarifat që këto kompani mund t’u kërkojnë debitorëve.
Sipas draftit, kompanitë që blejnë kredi me probleme nuk mund të aplikojnë interesa, penalitete, komisione apo tarifa më të larta se ato të parashikuara në kontratën fillestare të kredisë.
Projektligji përcakton gjithashtu se subjektet e licencuara për blerjen dhe mbledhjen e kredive me probleme nuk mund të japin kredi të reja dhe as të ushtrojnë veprimtari të tjera financiare apo tregtare.
Për institucionet jobanka parashikohen edhe detyrime për transparencën mbi interesat, tarifat, komisionet dhe kushtet kontraktuale.
Në relacionin shoqërues, Ministria e Financave thekson se projektligji synon “moslënien e hapësirave të parregulluara që mund të krijojnë problematika në të ardhmen”.
Drafti parashikon gjithashtu forcimin e kompetencave mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë dhe vendosjen në nivel ligjor të kërkesave për kapitalin, administrimin e rreziqeve dhe qeverisjen e institucioneve financiare.
Për bankat përcaktohet kapital fillestar minimal prej 5 milionë eurosh ose ekuivalenti në lekë, ndërsa Banka e Shqipërisë mund të kërkojë nivele më të larta.
Projektligji përfshin edhe mekanizmin e “pasaportës së vetme”, që pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian do t’u mundësojë bankave të licencuara në vend të hapin degë ose të ofrojnë drejtpërdrejt shërbime në shtetet e tjera anëtare.
Sipas relacionit, projektligji “forcon kompetencat mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë dhe integrimin e autoritetit me arkitekturën mbikëqyrëse të Bashkimit Europian”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









