BSH: Protestat shtojnë pasiguritë dhe rreziqet për ekonominë
Protestat dhe tensionet shoqërore i kanë shtuar rreziqet për ekonominë shqiptare.
Në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e katërt të vitit, Banka e Shqipërisë vlerëson se informacioni i ri e ka zhvendosur për lart balancën e rreziqeve për inflacionin dhe për poshtë atë për rritjen ekonomike.
Zgjatja apo përshkallëzimi i tensioneve gjeopolitike dhe ndërprerjet e mundshme në furnizimin me energji mund të shtojnë presionet mbi kostot dhe çmimet, si dhe të dobësojnë aktivitetin ekonomik në vendet partnere, duke ndikuar negativisht kërkesën e huaj. Ndërkohë, në ekonominë vendase, një burim shtesë pasigurie lidhet me tensionet sociale.
Vijimi apo përshkallëzimi i protestave mund të cenojnë besimin e konsumatorëve, bizneseve dhe investitorëve, duke ndikuar në vendimet e tyre për konsum dhe investime. Në varësi të kohëzgjatjes dhe intensitetit të tyre, këto zhvillime mund të ndikojnë negativisht në aktivitetin ekonomik, veçanërisht në sektorët e turizmit dhe të shërbimeve.
Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në mbledhjen e muajit nëntor, në nivelin 2.5%. Sipas Këshillit Mbikëqyrës, ky qëndrim krijon hapësirë për të vlerësuar më mirë natyrën, intensitetin dhe qëndrueshmërinë e goditjeve të jashtme, si dhe ndikimin e pasigurive të brendshme mbi aktivitetin ekonomik dhe inflacionin.
Në tremujorin e tretë të vitit, inflacioni mesatar arriti në 3.2% në tremujorin e tretë, nga 3% një tremujor më parë, duke reflektuar kryesisht rritjen e çmimeve të naftës dhe të ushqimeve të papërpunuara.
Nga ana tjetër, ngadalësimi i inflacionit të qirave kontribuoi në zbutjen e inflacionit bazë, i cili zbriti në 2.8% në tremujorin e tretë, si dhe në ngadalësimin e inflacionit total, nga 3.4% në muajin korrik në 2.9% në muajin shtator. Ndërkohë, mbiçmimi i Lekut ka amortizuar pjesërisht përcjelljen e rritjes së çmimeve ndërkombëtare në tregun vendas, ndërsa pritjet afatmesme për inflacionin mbeten të ankoruara pranë objektivit prej 3%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, presionet e huaja inflacioniste janë intensifikuar si pasojë e zhvillimeve gjeopolitike, veçanërisht tensioneve në Lindjen e Mesme dhe luftës së Rusisë ndaj Ukrainës. Rritja e çmimeve të energjisë dhe të lëndëve të para ka ushtruar presione mbi inflacionin global, duke ndikuar edhe ekonomitë partnere.
Në Eurozonë, inflacioni u rrit në 3.8% në muajin shtator, nga 2.8% në qershor. Ndërkohë, aktiviteti ekonomik rezultoi më i lartë se pritjet, i mbështetur nga rritja e eksporteve dhe konsumit. Këto zhvillime kanë nxitur rishikimin për lart të parashikimeve për inflacionin dhe një reagim në kahun shtrëngues të qëndrimit të politikës monetare nga Banka Qendrore Europiane.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për ekonominë shqiptare, ato përkthehen në presione më të larta mbi inflacionin dhe në pasiguri për perspektivën e kërkesës së huaj. Informacioni i ri konfirmon perspektivën e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe kthimin gradual të inflacionit në objektiv në afatin e mesëm. Inflacioni parashikohet të rritet disi mbi objektiv në afatin e shkurtër deri në fillim të vitit 2027, i ndikuar nga rritja e çmimeve të lëndëve bazë në tregjet ndërkombëtare dhe e inflacionit në vendet partnere.
Në vijim, Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të konvergojë gradualisht drejt objektivit, i mbështetur nga normalizimi i pritur i çmimeve energjetike dhe i zinxhirëve të furnizimit, në përputhje me sinjalet nga tregjet ndërkombëtare. Ndërkohë, një ecuri më e balancuar e kërkesës dhe ofertës, si dhe pritjet e ankoruara për inflacionin priten të mbajnë presionet e brendshme inflacioniste në nivele të pajtueshme me objektivin.
Rritja ekonomike pritet të mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme, e favorizuar nga rritja e të ardhurave, zgjerimi i kreditimit dhe kushtet e favorshme të financimit. Gjithashtu, kërkesa e huaj pritet të vijojë të mbështesë eksportet e shërbimeve. Në tërësi, ekonomia shqiptare parashikohet të rritet pranë potencialit të saj, duke ruajtur një balancë të qëndrueshme midis rritjes së aktivitetit ekonomik dhe stabilitetit të çmimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









