PD nis punën për zgjedhjet lokale të 9 majit, Berisha u nis udhëzimin degëve, emri që përflitet për Bashkinë Tiranë
Partia Demokratike ka nisur punën për caktimin e kandidatëve që do të garojnë për zgjedhjet lokale të 9 majit.
Kryetari i PD Sali Berisha u ka nisur të gjithë degëve të partisë një udhëzim ku u kërkon që deri në fund të muajit të mbledhin propozimet për kandidatët më të mirë që do të përfaqësojnë opozitën në garën për 46 bashkitë e vendit. Në udhëzim, Berisha thekson se harta territoriale e miratuar vetëm me votat e socialistëve i shërben vetëm forcimit të pushtetit të kryeministrit Edi Rama, ndaj Partia Demokratike duhet të bëjë gjithçka për betejën e zgjedhjeve lokale duke përfshirë mes kandidatëve të saj figura që vijnë nga shoqëria civile
“Përgjigjia jonë politike, në mes të protestave më të fuqishme shoqërore që kanë tronditur thellë regiimin, është hapja e plotë ndaj shoqërisë, duke fokusuar punën e strukturave në identifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë, me integritet të lartë moral, profesional e qytetar, në çdo komunitet vendor”, shprehet Berisha.
Berisha u ka kërkuar anëtarëve të PD që të bisedojnë me pedagogët, studentët , biznesin , shoqërinë civile për të përzgjedhur figurat më të mira për bashkitë e vendit. Në bashkitë që do të shkrihen Berisha u ka bërë apel strukturave të flasin me banorët në mënyrë që zëri i tyre të jetë i përfaqësuar.
Sipas këtij udhëzimi deputetët që duan të garojnë dhe kryetarët e 6 bashkive që ftoi PD në vitin 2023 do të jenë automatikisht të kualifikuar në këtë fazë të parë të vlerësimit të kandidatëve.
Edhe pse procesi për caktimin e kandidatëv për zgjedhjet e 9 majit sapo ka nisur zyrtarisht; në disa bashki janë evidentuar figurat që do të kërkojnë fitoren në emër të partisë demokratike.
Kryetarët aktualë të bashkive që ka fituar PD do të garojnë sërish. Fisnik Qosja për Kavajën, Albert Melyshi në Mirditë, Miftar Dauti në Has.
Nga ana tjetër në Tiranë pritet që PD të garojë me mjekun Ilir Alimehmeti; në Kamëz pritet të rikthehet Xhelal Mziu i cili javën e kaluar u caktua edhe drejtues politik i kësaj zone; në Krujë Aulon Kalaja që është edhe kryetar i degës së PD në këtë zonë pritet të garojë për bashkinë e Krujës. Mbetet për tu parë nëse deputeti Gjin Gjoni do të lejë mandatin e deputetit për të garuar për Bashkinë e Lezhës.




