Juventus renditet i shtati në renditje dhe ka sulmin e 13-të më të mirë në Serie A, me 15 gola të shënuar. Ata kanë nevojë urgjente për të ndryshuar diçka nëse duan të kualifikohen në Champions League për sezonin e ardhshëm.
Drejtori i përgjithshëm Giovanni Carnevali dhe Luciano Spalletti po mbështeten te rikthimi i lojtarëve dhe te merkatoja e janarit për t’i dhënë Juventusit një shtysë të re, veçanërisht në fazën e finalizimit.
Pas pushimit, Juventusit do t’i bashkohen sërish Francisco Conceicao dhe Nico Gonzalez; Spalletti planifikon ta përdorë këtë të fundit më tepër si qendërsulmues ose sulmues i dytë, sesa si sulmues anësor.
Në dhjetor pritet të rikthehet edhe Kenan Yildiz, duke i vënë në dispozicion të Spallettit të gjithë potencialin sulmues që ka skuadra e Juventusit. Megjithatë, rikthimi i Manuel Locatellit dhe Khephren Thuramit në fushë do të presë deri në muajt e parë të vitit të ri.
Merkatoja e janarit
Krahas rikthimit të lojtarëve të dëmtuar, merkatoja mund të ndihmojë në kthesën e sezonit për Juventusin. Carnevali dhe Massara duhet të vlerësojnë mundësitë për shkëmbime dhe shitje, si dhe fondet që vijnë nga rritja e kapitalit.
Rreth 100 milionë euro nga 250 milionë eurot e rritjes së kapitalit do të destinohen për transferime gjatë janarit dhe verës së ardhshme; prandaj, shpenzimi i një pjese të madhe të këtij fondi në janar nuk do të ishte shumë i arsyeshëm. Kështu, shkëmbimet dhe shitjet mund të rezultojnë vendimtare për merkaton e janarit të “Zonjës së Vjetër”.
Sa u përket shkëmbimeve, Juventusi dhe Atletico Madridi kanë rinisur bisedimet për të ardhmen e Jonathan David – i cili ndodhet në huazim te madrilenët, me një opsion blerjeje prej 15 milionë eurosh – dhe Alexander Sorloth, të cilin Juve dëshiron ta afrojë në verën e ardhshme.
Paraqitjet e mira të Davidit në Madrid mund të përshpejtojnë marrëveshjen, duke e sjellë atë në Torino që në janar, ndërsa edhe norvegjezi Sorloth mund të transferohet në Torino.
Tre lojtarë janë ndër më të mundshmit për t’u larguar nga Torino në janar: Federico Gatti, Andrea Cambiaso dhe Edon Zhegrova. Gatti ka luajtur më shumë në ndeshjet e fundit, por pas një paraqitjeje të mirë kundër AZ-së në Europa League, ai shprehu atë që kishte përbrenda:
“Për të dhënë maksimumin, më duhet të luaj rregullisht.”
Klubet e Premier Ligës vazhdojnë ta ndjekin lojtarin e lindur në vitin 1998, veçanërisht Aston Villa dhe Tottenhami. Megjithatë, karakteristikat e tij nuk e bëjnë atë një nga mbrojtësit e preferuar të Spallettit. Juventusi shpreson të përfitojë të paktën 15 milionë euro nga një shitje e mundshme e Gattit, kontrata e të cilit skadon në vitin 2030.
Edhe Cambiaso mund të largohet: pas dy sezonesh të vështira, të shoqëruara nga dëmtime, gabime dhe rënie të formës, vlera e tij ka rënë ndjeshëm. Megjithatë, Juventusi synon të arkëtojë 20 milionë euro për lojtarin e krahut të lindur në vitin 2000, kontrata e të cilit skadon në vitin 2029. Cambiaso ka admirues në Spanjë dhe te Milani. Juan Miranda mund të vijë nga Bologna për ta zëvendësuar atë në Continassa.
Së fundmi, është rasti i Zhegrovës. Lojtari nga Kosova mbeti jashtë listës së skuadrës për kompeticionet e UEFA-s dhe, nën drejtimin e Spallettit, ka luajtur vetëm në minutat e fundit të ndeshjeve të kampionatit. Sezoni i tij, deri më tani, përfshin dy gola kundër Sassuolos – të cilët nuk ndryshuan asgjë në rezultat – si dhe shumë kohë të kaluar në stol.
Ashtu si verën e kaluar, Juventusi do ta nxjerrë atë në treg në janar. Me Kolo Muanin tashmë në krahun e djathtë, si dhe me rikthimin e Nicos, Conceicaos dhe Yildizit, mundësitë për ish-lojtarin e Lille-it te Juventusi pritet të zhduken plotësisht.
Juventusi e vlerëson Zhegrovën – i lindur në vitin 1999 dhe nën kontratë deri në vitin 2030 – me 15 milionë euro. Nëse këto tri shitje realizohen sipas planeve të Juventusit, klubi mund të arkëtojë 50 milionë euro.







