Për vitin 2027, buxheti i QKK-së parashikohet të rritet me 36 milionë lekë (pa përfshirë 'cash rebate') krahasuar me fondet që qendra pati në dispozicion për 2026-ën..
Nga kjo shumë prej 218 000 000 lekësh, 20 milionë lekë do të shkojnë për projektet filmike, 7.9 milionë për personelin dhe 3 milionë lekë për pajisje. Parashikohet gjithashtu shtimi i katër punonjësve dhe krijimi i një sektori të ri të shpërndarjes së filmit.
Entuziast për rezultatet e institucionit që drejton, kryetari i QKK-së, Jonid Jorgji tha se kërkesa për prodhimin e filmit shqiptar këtë vit është trefishuar.
“Kjo na bën të lumtur, sepse tregon që vetë institucioni ka fituar kredibilitet, por njëkohësisht interesi ndaj kësaj industrie vjen duke u rritur. Kjo rritje e kërkesës sjell detyrimin që edhe financat e këtij institucioni të rriten.”, tha kryetari i QKK-së, Jonid Jorgji.
Përtej buxhetit, diskutimet në komisionin parlamentar, trajtuan më së shumti çështje të tjera. Deputetja demokrate Ina Zhupa iu rikthye draftit të parë të ligjit të ri të kinematografisë, duke kërkuar mbrojtjen e filmit autor dhe lirisë krijuese. Në përgjigje, Jorgji tha se teksti i rishikuar ka reflektuar rreth 90 për qind të rekomandimeve të institucioneve dhe komunitetit të kineastëve.
“Ky draft i dytë mund të them që është një modernizim i mirë i atij ligji që kemi pasur, ku dy pikat kryesore janë një, që tashmë ligji nuk është thjesht kinema, por është dhe audiovizual dhe kjo nuk e bën aspak tallava, por e bën ë këtë ligj shumë të rëndësishëm, sepse produktet audiovizuale sot zenë një peshë shumë të rëndësishme në këtë industri, ashtu siç ndodh në Francë, siç ndodh në Itali dhe në shumë vende të tjera, ku përveç filmave financohen dhe serialet.”, vijoi Jorgji.
Kreu i QKK-së bëri të ditur se synohet zgjerimi i mbështetjes për kineastët e rinj, ndërsa ligji i ri parashikon edhe incentiva fiskale për tërheqjen e produksioneve të huaja, me qëllim që Shqipëria të konkurrojë si destinacion për xhirimet ndërkombëtare.
Në përfundim, komisioni njoftoi organizimin e një seance të posaçme dëgjimore për QKK-në, ku do të kërkohet raporti vjetor, vlerësimi i efektivitetit të financimeve dhe një strategji afatgjatë për zhvillimin e kinematografisë shqiptare.









Komente
Komento