Inflacioni nën presionin e faktorëve të jashtëm, konsumi dhe investimet mbështesin rritjen ekonomike në 9 muaj
Aktiviteti ekonomik u rrit mes 3.6 dhe 3.7% përgjatë nëntë muajve të parë të vitit, i mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi privat dhe rritja e investimeve, të nxitura edhe nga normat e ulëta të interesit të kredisë. Të dhënat bëhen publike në Raportin e Politikës Monetare.
“Ky raport tregon se ekonomia ka pasur një ecuri të qëndrueshme gjatë nëntë muajve të parë, por gjithashtu evidenton se pasiguritë kanë ardhur në rritje, si në mjedisin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm”, u shpreh Balaj.
Ndërkohë, inflacioni ka shënuar rritje, kryesisht si pasojë e faktorëve të jashtëm.
“Nga njëra anë, kemi pasur rritje të inflacionit të importuar dhe të presioneve nga jashtë. Nga ana tjetër, kemi pasur një ngadalësim të rritjes së çmimeve të qirave, i cili ka kontribuar në prirjen rënëse të inflacionit. Prania e presioneve inflacioniste nga jashtë dëshmohet edhe nga shifra e fundit e inflacionit, e publikuar pak ditë më parë, sipas së cilës inflacioni në muajin tetor u rrit në 3,4%”, tha ajo.
Sa i përket perspektivës, Balaj vlerëson se pasiguria në mjedisin ndërkombëtar dhe tensionet gjeopolitike mund të sjellin valë të reja rritje të çmimeve, si dhe të dobësojnë aktivitetin ekonomik të partnerëve tregtarë të Shqipërisë.
“Zhvillimet në vend meritojnë vëmendjen e duhur. Tensionet sociale mund të shoqërohen me rritje të pasigurisë, e cila mund të ndikojë në frenimin e konsumit, të investimeve dhe të aktivitetit turistik”, tha ekspertja.
Raporti evidenton gjithashtu ndikimin e mundshëm të paketës fiskale në inflacion, efektet e së cilës mbeten për t’u vlerësuar gjatë muajve në vijim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




