Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilloi një takim në Romë me homologun e tij italian, Matteo Piantedosi, ku u diskutua për zhvillimin e Akademisë së Sigurisë sipas përvojës italiane, përfundimin e marrëveshjeve në fushën e sigurisë, si dhe njohjen automatike në Itali të certifikatave të lindjes të lëshuara përmes platformës e-Albania.
Një vëmendje të veçantë mori e ardhmja e Akademisë së Sigurisë, me synimin që organizimi dhe formimi profesional i punonjësve të Policisë të mbështeten në përvojën italiane. Bashkëpunimi me institucionet homologe italiane synon përmirësimin e programeve të studimit, forcimin e përgatitjes praktike dhe shkëmbimin e ekspertizës. Në këtë kuadër, u diskutua edhe programi vjetor i trajnimeve, për t’i pajisur punonjësit e Policisë me aftësitë e nevojshme për hetimin, parandalimin e krimit dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
Dy ministrat diskutuan gjithashtu marrëveshjet në fushën e sigurisë, të cilat janë në fazën përfundimtare dhe do të firmosen mes dy vendeve. Këto marrëveshje synojnë të forcojnë më tej bashkëpunimin shqiptaro-italian dhe koordinimin mes strukturave përgjegjëse për sigurinë.
Ministri Demo trajtoi gjithashtu çështjen e njohjes automatike së certifikatave të lindjes, nga autoritetet italiane, lëshuar nga gjendja civile shqiptare, në formën që shkarkohen e printohen nga e-Albania.
Pjesë e bisedimeve ishte edhe intensifikimi i bashkëpunimit policor, përmes shkëmbimit të informacionit në kohë reale, zgjerimit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe koordinimit për identifikimin e kapjen e personave në kërkim. Këto mekanizma synojnë reagim më të shpejtë dhe goditje më efektive ndaj veprimtarisë kriminale në të dy vendet.
Takimi në Romë konfirmoi vullnetin e përbashkët për ta çuar bashkëpunimin shqiptaro-italian në një nivel të ri, duke e shndërruar përvojën dhe mbështetjen italiane në rezultate konkrete për forcimin e institucioneve, luftën kundër krimit dhe, mbi të gjitha, rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e shërbimeve për qytetarët.








Komente
Komento